E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, në rrezik kulla fushore e Turanit



KORçE - Rrezikohet një nga monumentet e vjetra të kulturës dhe historisë në Korçë. Kulla fushore e Turanit, siç njihet ngrehina e vjetër e ndërtuar që në shekullin e 17-të, ka dëmtime të pjesshme të saj edhe pse në të është ndërhyrë për ta mirëmbajtur. Kulla fushore ka dëmtime dhe çarje në disa pjesë të saj. Prej tyre në të depërtojnë ujërat që rrezikojnë dëmtim të mëtejshëm të mureve. Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës sqarojnë se për mirëmbajtjen e kësaj kulle është ndërhyrë gati 5 vjet më parë me shtrëngues metalikë në disa breza të saj, por kjo me sa duket nuk ka qenë një ndërhyrje e plotë. Edhe pas kësaj ndërhyrjeje, në muret e kullës ka plasaritje të tyre dhe ngrehina tip fortesë, 15 metra e lartë, rrezikon sërish qëndresën dhe ekzistencën e saj. Gjergji Skënderi, specialist në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, thotë se për momentin kulla e Turanit nuk paraqet rrezikshmëri shembjeje. "Ka dëmtime për shkak se kulla i përket shekullit të 17. Nga ekzistenca në shekuj, vjetërsia e objektit si dhe nga agjentët atmosferikë ajo ka pësuar dëmtime me plasaritje dhe çarje të mureve. Këtu ka nevojë për një fond për konsolidimin e mureve me anën e dispozitave metalike të veçanta që quhen tiranta", sqaron ai. Kjo kullë fushore është mjaft e rrallë në llojin e saj. Ajo është shfrytëzuar për luftime dhe mbajtjen e prodhimeve bujqësore në rast lufte. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›