Garë në Osum, fiton kryebashkiaku Nasufi
BERAT - Eventet e javës italiane Shqipëria dhe Italia "Një det, dy popuj, një miqësi" kanë vijuar gjatë ditës së tyre të dytë me shumë aktivitete në qytetin e Beratit. Një prej tyre dhe më i veçanti ka qenë gara në sportin ujor të rafting-ut (gomone me lopata). Nën kujdesin e atasheut kulturor pranë ambasadës italiane, Adrian çani, Bashkisë së Beratit si dhe shoqatës së rafting në këtë qytet u organizua dje gara në ujërat e Osumit. Demonstrimi i garës me mjetet e lundrimit nisi nga fshati Vodicë i rrethit të Beratit ku dhjetëra persona, që nga kryetari i bashkisë Fadil Nasufi, përfaqësues të biznesit, si dhe shumë të huaj janë bërë pjesë e kësaj gare. Ata përshkuan me mjetet lundruese lumin Osum nga fshati Vodicë deri në lagjen "Goricë" të qytetit të Beratit. Por, kësaj gare nuk i munguan dhe fituesit. Në vend të parë arriti të dilte vetë i pari i qytetit, kryebashkiaku Fadil Nasufi, i cili shoqërohej në mjet nga kryetari i shoqatës së këtij sporti, Zamo Spathara. Ata u ndoqën në vend të dytë nga një diplomat i huaj në vendin tonë, ndërsa vendi i tretë i takoi një biznesmeni të njohur i qytetit, së bashku me bashkëshorten e tij. Aktivitetet në qytetin e Beratit, në kuadër të miqësisë italo-shqiptare kanë nisur prej dy ditësh, duke u shoqëruar me ekspozita, koncerte korale e të tjera, të përfshira në edicionin e parë të "Berat Festival 2010". d.xh