E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e flamurit të NATO-s,PD-LSI: Akt i rëndë provokativ



PD dhe LSI dënojnë ashpër djegien e flamurit të NATO-s gjatë mitingut të Partisë Socialiste në Sheshin "Skënderbej". Një ditë pas publikimit të videos, ku një prej protestuesve i vinte flakën flamurit të Aleancës, dy forcat qeverisëse reaguan përmes konferencave për shtyp. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, tha se në protestën e Partisë Socialiste bijtë e figurave të rëndësishme të regjimit të kaluar morën pjesë në djegien e flamurit. "Dje në protestën e Edvin Kristaq Ramës, Ilir Xhelil Gjonit, Ilir Hamit Beqes, Enkelejda Hamdi Shamkut, Gramoz Ruçit dhe pinjollëve të tjerë të Bllokut, militantë të Partisë Socialiste shkelmuan dhe i vunë flakën flamurit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, flamurit të NATO-s, flamurit të lirisë së shqiptarëve", tha Mëhilli. Sipas saj "para këtij akti të turpshëm e të dënueshëm, që fakton se bijtë nuk i lënë gjë mangët etërve në ideologjinë e tyre, udhëheqja tjetër e Partisë Socialiste me verbëri dhe skllavëri të plotë hesht, duke dëshmuar kështu se ka qenë porositëse dhe organizatore e tij". Nga ana tjetër, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim denoncoi djegien e simbolit të NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, e quajti provokativ aktin e dy ditëve më parë. "Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, denoncoj dhe të dënoj publikisht aktin e shëmtuar, të turpshëm dhe tejet provokativ të djegies së flamurit të NATO-s në mjediset e protestës së organizuar nga lidershipi josocialist i Partisë Socialiste", theksoi Rama. Sipas zyrtarit të lartë të LSI-së, "nuk besoj se përmes këtij gjesti lidershipi josocialist i Partisë Socialiste dëshiron të shprehë mesazhe për organizatën më të madhe politiko ushtarake, për partnerin më të madh të sigurisë sot në botë dhe për NATO-n, ku Shqipëria është anëtarja më e re e saj". Në të njëjtën kohë ai theksoi se "gjeste të tilla shprehin një mentalitet fondamentalist dhe tejet regresiv, të cilin nuk e bashkon asgjë me trendin evropian të zhvillimeve të vendit dhe me investimin e madh, që vetë shoqëria shqiptare ka bërë dhe po bën në kuadër të integrimit të plotë vendit në tërësinë e hapësirës euroatlantike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›