Berisha: Të zbatohet Marrëveshja e Ohrit
ADI SHKEMBI
Tirana zyrtare kërkon sërish zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni. Deklaratën e bëri dje në Tiranë Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti. Kreu i PDI-së u takua në kryqytet me kreun e Qeverisë shqiptare, ku u bisedua mbi situatën e fundit politike në Tiranë dhe Shkup. Në një deklarim për mediat Berisha theksoi se "ne diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve tona, ramë dakord që kontaktet, sikundër deri tani, të jenë të vazhdueshme për të gjitha problemet. Qëndrimi i Shqipërisë, Qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare, është dhe mbetet i pandryshuar, paqja, stabiliteti i Maqedonisë, integriteti i saj janë jetikë për paqen dhe stabilitetin e rajonit", u shpreh Berisha. Në të njëjtën kohë, ai vuri theksin te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila garanton respektimin e popullsisë shqiptare në vendin fqinj. "Sikundër konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm zbatimin e plotë dhe konsolidimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe kur them këtë, dua të shpreh vlerësimin tim të palëkundur me të gjithë progresin thelbësor që është arritur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Unë kam bindje se zbatimi i saj do të ecë i pandërprerë, sikundër ka ecur gjer sot, në interesin më të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në interesin më të mirë të mbarë shoqërisë maqedonase e të Maqedonisë në tërësi", u shpreh më tej kreu i Qeverisë së Tiranës. Nga ana e tij, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, vlerësoi rolin e Qeverisë shqiptare në drejtim të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe politikën e afrimit mes vendeve fqinje në rajon. "Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se Shqipëria është një lobiste e vërtetë që Maqedonia sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, të mos jetë akoma më larg e shkëputur nga Karta e Adriatikut, sepse nga Karta e Adriatikut, Shqipëria dhe Kroacia janë në NATO dhe të gjitha angazhimet ne i bëjmë në këtë drejtim, që sa më parë Maqedonia të zërë vendin e merituar, sepse duke qenë në NATO, kemi më shumë siguri, më shumë stabilitet, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin si tërësi", u shpreh kreu i BDI-së. Ndërkohë, mediat në Shkup bëjnë të ditur se takimet e liderëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni vijnë pas gjetjes së një sasie të madhe armësh në kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës. Kështu, pas takimit mes Ali Ahmetit dhe Kryeministrit Berisha pritet një takim i kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi me kryetarin e AAK-së në Kosovë, Rramush Haradinaj. Ndërkohë që nga ana tjetër, kreu i PDSH-së, Thaçi, pritet të vijë edhe në Tiranë, ku do të takojë Kryeministrin Berisha.