Banorët bllokojnë puset e naftës, pushojnë “tërmetet”
FIER/ MAJLINDA RAMA
Banorët e fshatrave Zharrëz dhe Kuqar në Fier kanë bllokuar punën në puset, të cilët dyshohen si shkaktarë të lëkundjeve që dëmtuan banesat e tyre. Dhe në fakt, pasi këta banorë kanë qëndruar rojë në këto puse duke mos lejuar aktivitetin e tyre, në këtë zonë nuk ka pasur më lëkundje “tërmeti”. Të paktën me këtë argument është mbrojtur kompania e naftës, “Bankers”. U bë një javë që nga takimi i realizuar me qëllim marrjen e masave për banesat e dëmtuara dhe shqetësimin e banorëve të kësaj zone. Por pas kësaj, asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë e kësisoj banorët shprehen se ndihen të neglizhuar nga ana e shtetit. Ata kanë ditë dhe net të tëra që qëndrojnë të pagjumë në puset ku ndodhën shpërthime. Sipas tyre, vetëm kështu mund ta kenë situatën nën kontroll si dhe të kenë një shpresë që kompania të marrë masa për dëmet e shkaktuara. “E dimë që është shumë për ne të qenit roje, por është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga ky hall i madh. Vetëm duke bllokuar punën e kompanisë, ata mund të vihen në lëvizje, në të kundërt askush nuk e vë ujin në zjarr. Na thanë që do të vinin ekspertët, të cilët do të na matnin dëmin dhe më vonë ne do të merrnim dëmshpërblimin. Nuk kanë dërguar asnjë specialist edhe nga instituti i Sizmologjisë ashtu sikurse u tha. Kjo do të lehtësonte edhe kompaninë në rast se ajo vazhdon të mbrojë tezën e lëkundjeve nga tërmeti”, u shpreh Dritan Ruka, banor i fshatit Zharrëz. Sipas tij, por edhe shumë banorëve të tjerë, këto ditë që ata kanë bllokuar puset nuk ka pasur asnjë lëkundje. “Në asnjë nga këto ditë që puset po ruhen, nuk ka rënë ndonjë “tërmet” i papritur ashtu sikurse u deklarua në fillim nga kompania “Bankers’”, u shprehën banorët. Ndërhyrja e pushtetit vendor i bëri ata që të ndërprisnin protestat e ndërmarra ditë më parë. Edhe përfaqësuesit vendor kanë qenë në mbështetje të tyre. Kryetari i komunës Zharrëz, Taulant Gremi, u shpreh dje se ka bërë të gjitha përpjekjet në emër të institucionit që ai drejton, ndërsa tashmë është në pritje të një përgjigje zyrtare. “I kam nisur një shkresë Kryeministrit Berisha, si dhe Ministrisë së Energjetikës për këtë problem, ndërkohë që kam mbajtur kontakte edhe me përfaqësuesit e kompanisë “Bankers”, por deri tani nuk kam marrë një përgjigje. Do të qëndrojmë në pritje ndërsa do të vazhdojmë t’i përmbahemi fjalës për bllokim të punës në puset që dyshohen si shkaktare të këtyre lëkundjeve”, u shpreh Gremi.