E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondet e partive, raporti do publikohet me 2 nëntor

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përzgjedh emrat e kontabilistëve që do të hetojnë financimin e partive politike në fushatën elektorale të 28 qershorit. KQZ-ja përzgjodhi dje me anë të shortit publik të 27 ekspertët kontabël të licencuar, të cilët do të kryejnë auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga 34 subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore. Goglat kanë përzgjedhur emrat e partive dhe kontabilistëve, të cilët do të realizojnë mënyrën e financimit të partive politike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Fondet e Partisë Demokratike do të auditohen nga shoqëria vendase ALB Auditing SHPK, ndërsa ato të Partisë Socialiste nga Mihal Ziu. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë partia e parë që i ka rënë shorti për t’u audituar nga eksperti Theodhoraq Gjosha. Goglat për ekspertët i kanë tërhequr përfaqësuesit e partive, por në ato raste kur mungonin këtë detyrë e ka kryer punonjësja e përzgjedhur nga ana e KQZ-së. Si për ironi të fatit, shorti e la të fundit PS-në në përzgjedhjen e ekspertit kontabël. Genc Gjonçaj, përfaqësuesi i PS-së e tërhoqi vetë goglën në të cilën përzgjodhi ekspertin e saj. Në bazë të nenit 92 KQZ-ja përzgjedh me konkurrim një listë të ekspertëve kontabël të licencuar në fillim të vitit zgjedhor. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit. Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të tyre përcaktohen me udhëzim të KQZ-së. Në çdo rast një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi. Buxheti për zgjedhjet duhet të parashikojë edhe fondin e nevojshëm për auditimin e subjekteve zgjedhore. Në këtë përzgjedhje, KQZ-ja bashkëpunoi me Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA). KQZ-ja vendosi me gjashtë vota pro që brenda 2 nëntorit ekspertët të paraqesin raportin e tyre për auditimin e kryer për partitë politike.
Fondet që auditohen
Pjesë e hetimit do të jenë fondet jo publike dhe publike. Në të përfshihen edhe partitë politike që nuk kanë përfituar fonde nga vendimi i Qeverisë. Në bazë të nenit 90, pika 1, “Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 89 të këtij Kodi dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë”. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tre ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Qeveria akordoi një fond prej 60 milionë lekësh për partitë politike parlamentare pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjysmën e këtij fondi e përfituan Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.

Emrat e ekspertëve dhe partive që do të auditohen

Azem Hykaj Partia Lëvizja e Legalitetit - Partia Demokracia e Re Evropiane

Dashnor Çarçani Partia e Gjelbërt - Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 

Dhimitër Pano Partia Bashkimit për Drejtat e Njeriut

Eduard Kila Partia Demokristiane 

Elez Lala Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve

Elton Haxhi Partia Konservatore

Fatmira Kastrati Partia Agrare Ambientaliste

Lavdimir Fusha Partia Drejtave të Mohuara

Luan Muça  G99

ALB BB Auditing SH.P.K  Partia Demokratike

Luljeta Hasho Partia Rruga e Lirisë

Lumturi Brahaj Partia Ora e Shqipërisë - Partia Ligj dhe Drejtësi

Marie Dushi Lidhja Demokristiane

Mihal Ziu Lëvizja për të Drejtat e Liritë të njeriut/ Partia Socialiste

Namik Vehipi Partia e Bashkimit Demokratik

Nikolla Geco Partia Socialiste e Vërtetë ‘91

Pajtim Hysi  Partia Toleranca e Re

Qani Kaja Partia Drejtësi dhe Integrim /Partia Reformave Demokratike Shqiptare

Sabri Palamani Bashkimi Liberaldemokrat/Partia Balli Kombëtar Demokrat

Semiha Dollani Partia Republikane

Stavri Prifti Partia Demokracia Sociale

Stoli Laze Partia Balli Kombëtar

Theodhoraq Gjosha Lëvizja Socialiste për Integrim

Union AB Financ Kontabilitet Revizion SH.P.K PFAALB Auditing group SHPK  Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian

Lulash Pjetërnika Partia Aleanca Demokratike

Vjoleta Mullai Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet/ Partia Socialdemokrate   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›