E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë për truallin, do të ndërtohet pallat

 

VLORE - Protestë para një trualli të rrethuar për ndërtim të një pallati shumëkatësh në bregdetin e Vlorës. Pronari i lokalit të shembur tri ditë më parë nga ana e Policisë Ndërtimore, por edhe pronarë të tjerë të tokës, të cilët e kanë përfituar atë në bazë të ligjit 7501, protestuan duke pohuar se ata posedonin të gjithë dokumentacionin e duhur si pronarë të ligjshëm të tokës. Pas shembjes së lokalit, i gjithë vendi është rrethuar pasi për të është dhënë leje për ndërtim pallati. Por banorët që në orët e para të mëngjesit kanë prishur rrethimin e firmës së ndërtimit, duke hedhur të gjitha në shesh. “Kjo është toka jonë dhe jo e atyre që kanë falsifikuar. Tokën e kemi marrë nga shteti që 18 vite më parë me ligjin 7501 si punëtorë të NB Ullishte. Ne disponojmë të gjithë dokumentacionin dhe çështja është në gjykatë”, u shprehën dje banorët protestues. Gjatë protestës së djeshme, banorët janë konfliktuar disa herë edhe me policinë. Forcat e rendit kishin ardhur për të ndërhyrë në rast konflikti midis dy palëve, ndërtuesve dhe banorëve që pretendojnë pronësinë e ligjshme të tokës.            q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›