Krujë, pret damarët e më pas vetëhidhet në pus
KRUJE - Pret damarët e më pas vetëhidhet në pusin e shtëpisë. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të së dielës në fshatin Dreven të Krujës, ku protagonisti i saj është 27-vjeçari Altin Luka. Fatmirësisht vëllai i tij ka ndërhyrë në kohë duke arritur ta nxjerrë atë nga pusi të gjallë, e më pas i riu është nisur me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, nga ku mësohet se gjendja e tij është tepër e rëndë. Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga vëllai i viktimës, Luka, kishte qenë në verandën e shtëpisë së tij kur kishte marrë thikën e bukës, duke prerë damarët e dorës së djathtë. Ky veprim është vënë re nga vëllai i tij, i cili ndodhej pak metra më larg. Ai është munduar ta ndalojë 27–vjeçarin, por më pas i riu ka nxituar drejt pusit që ndodhej në oborrin e shtëpisë së tyre duke u vetëhedhur brenda saj. Menjëherë vëllai i tij ka dhënë alarmin dhe së bashku me familjarët e tjerë kanë bërë të mundur nxjerrjen nga pusi të të riut dhe më pas dërgimin e tij në Spitalin Ushtarak. Fatmirësisht pusi kishte vetëm dy- tre metra thellësi me ujë, çka ka bërë që familjarët e Lukës të mund të ndërhynin shpejt. Sipas deklarimeve të marra nga familjarët e tij, Altin Luka është i sëmurë mendor dhe kurohet prej 2 vjetësh pranë spitalit nr.5 të Tiranës. r.n