E Diel, 1 Nëntor 2026

Fenomeni në Elbasan, 150 makina luksoze “zhvishen” nga pasqyrat

 

ELBASAN - Qindra qytetarë, posedues të makinave luksoze, kryesisht të tipeve “Benz Mercedez”, prej disa muajsh janë bërë pjesë e një fenomeni shqetësues në qytetin e Elbasanit. Statistikat e policisë bëjnë të ditur se vetëm për një muaj janë vjedhur 150 pasqyra, të cilat i janë çmontuar mjeteve të modeleve të reja dhe prodhimit të viteve 2001-2008. Policia e Elbasanit ka hartuar një plan masash për parandalimin e këtyre vjedhjeve masive, si dhe identifikimin dhe arrestimin e autorëve, të cilët dyshohet të jenë të njëjtët në të gjitha rastet. Deri më tani blutë nuk kanë mundur të bien në gjurmët e autorëve, të cilët vazhdojnë të kryejnë pa asnjë shqetësim vjedhje çdo natë. Në dyqanet e shitjeve të pjesëve të këmbimit për mjetet luksoze mësohet se në dy javët e fundit është rritur ndjeshëm fluksi i kërkesave për blerje pasqyrash. Mësohet se një çift pasqyrash kushton afërisht 20 mijë lekë të reja në dyqan, ndërsa në varreza makinash atë mund ta marrësh rreth 15 mijë lekë të reja. Gjatë javës që kaloi në komisariatin e policisë janë shoqëruar 10 persona me precedentë në vjedhje, por pasi janë marrë në pyetje ata janë lënë të lirë. Duke iu referuar policisë, mësohet se vjedhjet e pasqyrave kryhen në orare të ndryshme, madje dhe në orët e pasdites. Jo rrallëherë këto vjedhje janë kryer edhe në mes të ditës në qendër të qytetit dhe në afërsi të pallateve buzë bulevardit “Qemal Stafa”.         a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›