Banorët bllokojnë rrugën, në mbrojtje të Kakomesë
Sarandë - Sot mbasdite më shumë se një mijë banorë të fshatit Nivicë kanë bllokuar rrugën nacionale Sarandë- Vlorë. Ata kanë ndaluar futjen në Kakome të 5 makinave të mëdha të cilat do të bënin punime për ndërtimin e fshatit turistik të Kakomesë.
Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur për BalkanWeb se forca të shumta policisë janë grumbulluar për të shpërndarë banorët, të cilët janë të bindur të qëndrojnë deri në mëngjes.
Kreu i komunës Nivicë, Vladimir Kumi tha se: “protesta do të vazhdojë deri në mëngjes pasi ne nuk pranojmë që në pronat tona të futen makinat e rënda, dhe të punojnë pa u paraqitur pronarëve projektin”. Sipas tij ekzistojnë të gjitha dokumentet për të vërtetuar pronësinë nga Nivica mbi kullotat Hermes, Dardhë e Sipërme, e deri buzë gjirit të rrethuar me lisa dhe pemët e ullinjve dhe me një lëndinë të bukur mbi të cilin kërkohet të ndërtohet një fshat turistik.
Pronësia
Më 19 shtator, Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave ka marrë një vendim. Dokumentet e pronësisë që kanë patur në duar 129 niviciotët tashmë janë të pavlefshme. Sipas AKKP-së, ata nuk janë pronarë, ndërkohë që vendimet e Gjykatës së Rrethit të Vlorës që iu njeh atyre të drejtën e pronësisë duhet të anulohen. Në një material prej rreth 70 faqesh, referuar dosjeve të gjykatës dhe arkivave të shtetit, AKKP shpjegon pse banorët e zonës nuk janë pronarë, paçka se jetojnë prej shekujsh në këto troje. Në bazë të këtij vendimi, dokumentet që kanë paraqitur banorët e fshatit të Nivicës ku pretendojnë se janë pronarë në kullotat e ndodhura në luginën dhe pyllin përrreth gjirit të Kakomesë, me një sipërfaqe rreth 4300 ha, nuk janë të sakta, edhe pse disa prej tyre datojnë më 1291. Zyrtarisht, çështja e pronësisë në zonën përreth Kakomesë quhet e mbyllur. Firma shqiptare “Rivera” me tur operatorin francez Club Med tashmë nuk ka as edhe një pengesë ligjore për të nisur projektin e saj ambicioz. Por prej dy vjetësh ky projekt ka mbetur në letra për shkak se vendasit nuk kanë dhënë “bekimin”. Pas vendimit të Agjencisë së Kthimit të Pronave janë rindezur sërish gjakrat e niviciotëve.
FSHATI TURISTIK
Vendimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka ringjallur shpresat e kompanisë “Riviera” për ndërtimin e fshatit turistik.
Projekti i Club Med duket se synon që turistët e huaj të përjetojnë një aventurë të rrallë që ta ofron një territor i virgjër me bukuri natyrore. Fshati turistik është planifikuar të jetë buzë detit, ndërkohë që lidhjet janë parashikuar të kryhen nëpërmjet ishullit grek të Korfuzit. Sipërfaqja ku mendohet të ndërtohet fshati turistik, do të jetë rreth 70 mijë metra katrorë. Projekti parashikon ndërtimin e shtëpive me gurë, duke ndërthurur traditën vendase me kërkesat për një turizëm elitar.
(O. Zhupa balkanWeb)