Dogana, 100 aplikime në ditë për të përfituar amnistinë
DURRËS Më shumë se 100 aplikime në ditë është duke marrë dega e Doganës së Durrësit, në lidhje me automjetet që përfitojnë nga ligji i amnistisë fiskale. Siç është bërë e ditur, autoveturat që kanë hyrë në territorin shqiptar, deri më 31 dhjetor të vitit 2010 dhe nuk janë zhdoganuar, tashmë mund të përfitojnë që të kryejnë zhdoganimin e mjeteve me gjysmën e vlerës që është parashikuar në bazë të ligjit doganor. Drejtori i degës së Doganës në Durrës, Bujar Vukaj, ka bërë të ditur se mesatarisht specialistët që janë caktuar për këtë qëllim, marrin në dorëzim rreth 100 aplikime në ditë. Zbatimi i këtij ligji ka hyrë në fuqi në fillim të muajit korrik dhe për këtë arsye, personat e interesuar kanë nxituar të kryejnë aplikimin që më pas të mund të përfitojnë, duke kursyer gjysmën e shumës për zhdoganimin e automjeteve. Në kushte të tjera, pagesa për zhdoganimin e mjeteve ishte goxha e lartë, por në fillim të këtij viti, me vendim qeverie, është miratuar ligji i amnistisë fiskale në bazë të të cilit përfitojnë disa kategori të biznesit, si dhe automjetet që nuk janë zhdoganuar më parë dhe që kanë hyrë në Shqipëri deri më 31 dhjetor 2010. Drejtori i degës së doganës ka bërë të ditur se nga ky ligj nuk përfitojnë automjetet që kanë hyrë nga 1 janari i këtij viti dhe në vazhdim. Ligji në fjalë, iu ka ardhur në ndihmë më së shumti tregtarëve të makinave, të cilët sjellin herë pas here autovetura të tipeve të ndryshme nga jashtë. Origjina e këtyre automjeteve janë kryesisht Italia dhe Gjermania, vende ku punojnë dhe jetojnë shumë emigrantë shqiptarë. Tregtarët e automjeteve të përdorura kanë krijuar tashmë rrugët dhe mënyrat për sjelljen e këtyre mjeteve në Shqipëri, të cilat tregtohen më së shumti buzë autostradës Durrës-Tiranë, në tregun e krijuar enkas për këtë qëllim në Shën Vlash, si dhe në zona e qytete të tjera. Ky aktivitet tregtar rezulton mjaft fitimprurës për tregtarët e automjeteve të përdorura, pasi shifrat e importit të këtyre mjeteve vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele, pavarësisht hapjes së shumë pikave që shesin autovetura të reja.
Aleks Kalemasi