E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Bushtricës kërkojnë mbajtjen e premtimit të dhënë nga qeveria

Në javën e dytë të vitit të ri shkollor, komuniteti i fshatit Bushtricë në Rrethin e Kukësit, në shenjë proteste për moshapjen e shkollës së mesme ka bojkotuar fillimin e mësimit si dhe ka kërcënuar që do të bllokojë rrugën nacionale. Familjet e fshatit kanë penguar fëmijët të shkojnë në shkollë, duke lënë mbyllur klasat e sistemit të detyrueshëm nga e para deri në të nëntën, në shenjë pakënaqësie për vonesën e hapjes së shkollës së mesme. Komuna Bushtricë dhe katër komuna të tjera i kishin kërkuar disa kohë më parë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës mundësinë e ngritjes së një shkolle të mesme, ndërsa mësohet se nga kjo e fundit ishte lëshuar një urdhër sipas të cilit autorizohej hapja e shkollës së mesme në Bushtricë. Urdhri i ishte dërguar Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Kukës ku porositej të merrte masat e nevojshme për këtë qëllim. Por drejtues të DAR kanë thënë se nuk ka kuadër mësimdhënës me arsim përkatës që të mundësojë procesin e mësimdhënies në atë shkollë, madje edhe në numër shkollash në zonat rurale ka mungesë mësuesish me arsimin e duhur. Drejtues të Komunës së Bushtricës tregojnë se kanë siguruar infrastrukturën e duhur, përkatësisht klasat në shkollën aktuale të 9-vjeçares, të cilat janë pajisur me tavolina dhe mjete të tjera si dhe kabinet informatike. Ishte menduar të hapeshin dy paralele me rreth 60 nxënës, shumica prej të cilëve do udhëtonin nga fshatrat e tjerë, në mjedise tashmë të gatshme. Ndërkohë kryetari i Komunës së Bushtricës tha se do t‘i shkruante për vonesat burokratike ministrit të Arsimit si dhe vetë Kryeministrit dhe se nuk do të pushonte së kërkuari hapjen e shkollës. "Edhe pse thuhet se ka mungesë të mësimdhënësve, nuk bindem në këtë gjë, sepse shteti stimulon me pagesa më mira ata që udhëtojnë larg. Përveç kësaj ne kemi disa mësues që aktualisht banojnë në Tiranë, të cilët kanë shprehur dëshirën të vijnë e të japin mësim në Bushtricë, që shkolla të mos dështojë. Ne do të bllokojmë edhe rrugën nacionale, madje mund t‘i drejtohemi edhe grevës së urisë", tha ai duke treguar se protesta mbështetej nga rreth 150 familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›