I la gruan pa punë, tenton të vrasë administratorin
I pushojnë gruan nga puna, kërcënon me granatë drejtorin e firmës së pastrimit ku ajo punonte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal në qendër të qytetit të Beratit. Një 50-vjeçar ka hyrë në një lokal, i cili ndodhet në lagjen "10 Korriku" shumë pranë selisë së degës së PS-së dhe në debat e sipër me Niko Sinjarin, ka nxjerrë një granatë me të cilën ka tentuar të vrasë administratorin e firmës që mbulon pastrimin e qytetit. Dëshmitarë të rastit pohojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 kur 50-vjeçari Iliaz Muka është futur në lokal dhe i nxehur i është drejtuar pikërisht tavolinës së Niko Sinjarit. Gjatë debateve mes palëve pronari i lokalit ka njoftuar policinë dhe kjo e fundit ka mundur të neutralizojë 50-vjeçarin dhe ta shoqërojë atë për në komisariat. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat bëjnë me dije se Sinjari është administrator pranë firmës "Insini Konstruksion", firmë kjo që mbulon pastrimin e qytetit. Konflikti mes dy burrave ka lindur pas vendimit të Sinjarit për pushimin nga puna të gruas së 50-vjeçarit Muka. Gjatë marrjes në pyetje, ky i fundit ka deklaruar se donte të hakmerrej ndaj administratorit të firmës, pasi gruaja e tij ishte pushuar nga puna padrejtësisht. Po sipas burimeve të policisë, materialet e kësaj çështjeje i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit ku 50-vjeçari do të përballet me akuzat e "vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë" dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake".