E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, makina i merr jetën çiklistit 85-vjeçar

Një aksident rrugor i ka marrë jetën një të moshuari nga Lushnja, ndërsa shoferi është vënë në pranga. Fatin e tij e kanë pasur dhe dy drejtues automjetesh në Durrës, për të njëjtën akuzë. Ngjarja e parë është shënuar rreth orës 06:00 të ditës së martë në rrugën nacionale Lushnjë-Berat. Mësohet se 52-vjeçari Enver Caushi, banues në Durrës ka qenë duke udhëtuar për në Berat me mjetin e tij tip "Mercedez Benz" me targa DR9700B kur në afërsi të fshatit Stan Karbunarë ka përplasur për vdekje 85-vjeçarin, Zeqir Çekrezi banues në Lushnjë. Ky i fundit ishte duke drejtuar një biçikletë në të njëjtin drejtim me mjetin. Ai ka qenë në anë të rrugës dhe nga dëshmitë e drejtuesit të mjetit mësohet se në moment ka dashur të kalojë në anën tjetër të rrugës, duke i prerë rrugën. Policia ka bërë shoqërimin në polici të 52-vjeçarit dhe ka prerë fletën e arrestit në kushtet e flagrancës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë, në Durrës është arrestuar një 19-vjeçar, pasi ka aksidentuar rëndë një 65-vjeçar. Mësohet se Arlind Kadheli, 19 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Shkallnur të Durrësit mbrëmjen e së hënës ka aksidentuar 65-vjeçarin Bajram Xhelilaj, lindur në Gramsh dhe banues në lagjen 15 të Durrësit. Ai është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në spital ku vazhdon të jetë i shtruar, ndërsa 19-vjeçari u arrestua. Ndërkohë, është vendosur që kryekomunari i Helmësit, i cili dy ditë më parë aksidentoi një të moshuar, do të hetohet në gjendje të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›