Shpërthen gazi, digjet gruaja
Digjet duke lyer shtëpinë, gruaja e re përfundon në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së martës në qytetin e Delvinës. Majlinda Shino ka qenë duke lyer shtëpinë në një nga lagjet e qytetit të Delvinës, kur papritmas ka shpërthyer bombola e gatimit në mjedisin e kuzhinës, ku ajo ndodhej në atë moment duke punuar. Flakët e zjarrit, të shkaktuara nga shpërthimi i lëndës djegëse kanë përfshirë trupin e saj. Megjithëse transportimi i 35-vjeçares është bërë pa humbur kohë drejt urgjencës së spitalit "Petro Nako" të Sarandës, ka qenë e pamundur të ndërhyhet në kushtet e këtij spitali. Mjekët kanë përcaktuar se gruaja 35-vjeçare ishte dëmtuar në masë të konsiderueshme, rreth 80 për qind, duke pësuar djegie të gradës së dytë. Ka qenë kjo arsyeja që është kërkuar ardhja e helikopterit të emergjencës mjekësore, i cili është ulur në Sarandë dhe ka bërë transportimin e të dëmtuarës drejt Spitalit Ushtarak të kryeqytetit, për një trajtim më të specializuar.