E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Vlorës i bën rezistencë ministrisë

Pavarësisht urdhrit të dalë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sportelet e sekretarive të Universitetit të Vlorës kanë qenë të mbyllura për regjistrimin e studentëve të rinj. Duket se udhëzimit nga Dikasteri qendror i Arsimit, rektorati i është përgjigjur me heshtje. Dje gjatë paradites, oborri i dy godinave që përfshijnë kampusin universitar ka qenë i mbushur me kandidatë për studentë dhe prindër të tyre, të cilët pas lajmit të mirë kanë rendur të regjistrohen në degët e përzgjedhura më parë prej tyre.
Por në të dyja godinat nuk është bërë asnjë regjistrim për këta studentë me një urdhër të dhënë nga rektorati. Në një prononcim për "Shqip" zëvendësrektori i Universitetit të Vlorës, Eustrat Zhupa, është shprehur: "Nga ana e universitetit tonë nuk do të ketë asnjë regjistrim për të gjithë ata studentë që nuk kanë mesataren e duhur. Dua të sqaroj të gjithë kandidatët për studentë se nuk do të ketë asnjë regjistrim në këtë institucion". Në këtë mënyrë është hedhur poshtë urdhri i dhënë nga Ministria e Arsimit dy ditë më parë për regjistrimin e të gjithë kandidatëve që ishin shpallur fitues, sipas listave të publikuara nga APRIAL.
Pas deklaratës së dy ditëve më parë, një përfaqësi e pedagogëve të këtij universiteti kanë mbështetur deklaratën e senatit të universitetit. Dy ditë më parë, në një njoftim zyrtar, senati deklaroi se vendimi për të mos pranuar studentët me mesatare nën 6 është i drejtë dhe është marrë sipas një arsyetimi kolektiv, duke pasur parasysh ligjin dhe të gjitha kompetencat dhe autonominë që u ka dhënë universiteteve. Sipas kësaj logjike, askush nuk ka të drejtë të mos marrë parasysh vendimet e senatit apo stafeve akademike. Sipas senatit të "Ismail Qemalit", studentët e një niveli të ulët akademik nuk mund ta përballojnë dot punën dhe fluksin e studimeve pranë këtij universiteti dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për cilësi, standarde, që sipas pedagogëve, studentët me mesatare 6 nuk mund t‘i përmbushin. Sipas tyre, me një kontingjent nxënësish të cilët nuk kanë marrë njohuri të përgjithshme, nuk mund të punohet, pasi cilësia dhe efektiviteti nuk do të jetë ai i duhuri. Në këto kushte, ata më mirë do të largoheshin nga puna se sa të ndiheshin të fyer dhe të nëpërkëmbur nga njerëz, të cilët pavarësisht postit ku punojnë, nuk njohin dhe nuk respektojnë ligjet.
Dje një pjesë e pedagogëve i janë drejtuar me anë të një letre ministrit të Arsimit dhe Shkencës të sapoemëruar, Myqerem Tafaj, të cilit i kanë sqaruar se mohimi i urdhrit bëhet për rritjen e cilësisë dhe nivelit akademik të universitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›