E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, një i vdekur dhe dy të plagosur

Qarkullimi Viktima udhëtonte në aksin Shkodër-Velipojë. Të plagosurit nga Elbasani

Përgjaken sërish akset nacionale të vendit. Brenda 48 orëve të fundit, një i vdekur dhe dy të plagosur ka qenë bilanci i katër aksidenteve të ndodhura në Shkodër, Qafë-Thanë dhe Elbasan. Një aksident me pasojë vdekjen e një të riu ka ndodhur dje, në orët e para të mëngjesit, rreth orës 02:30, në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, në vendin e quajtur “Ura Gjo Lulit”. Mësohet se viktima, i cili është identifikuar si 22-vjeçari Izmir Dani, ka qenë pasagjer në një autoveturë tip “Benz” me targa të Shkodrës që ka përfunduar në një kanal me ujë. Në momentin kur ka ndodhur aksidenti, nuk ka pasur qarkullim, çfarë ka bërë që të aksidentuarit të qëndrojnë për rreth 30 minuta në makinën e përmbysur brenda kanalit me ujë. Sipas policisë, vonesa e ndihmës së parë ka ndikuar në humbjen e jetës të 22-vjeçarit Izmir Dani. Ndërkohë që drejtuesi i automjetit, shtetasi Kolë Shaba, 22 vjeç, i cili ka shpëtuar pa marrë plagë të rënda, është arrestuar nga policia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas ekspertëve, shkak për aksidentin është bërë humbja e kontrollit nga drejtuesi i automjetit. Ndërkohë në Elbasan janë regjistruar dy aksidente me pasojë plagosjen e dy shtetasve, njëri prej të cilëve fëmijë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgjik, Arjet Berdufi, 25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Trepsenisht, Elbasan, duke drejtuar një çiklomotor, me targa EL 722 A, ka aksindetuar 58-vjeçaren M.Z, banuese në fshatin Katundi i Ri, Elbasan. E dëmtuara u dërgua në spital ku aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur në Unazën e qytetit të Librazhdit, rreth orës 19:40, ku Bujar Mushi, 40 vjeç, duke drejtuar mjetin “motorkarro”, me targa EL 876 A, ka aksidentuar të miturin L.G, 5 vjeç. Vogëlushi është dërguar në spital, ku ende ndodhet nën kujdes mjekësor. Ndërkaq, pak pas mesditës së djeshme, një furgon me pasagjerë nga zona e Mokrës është përplasur me një autobot me ujë. Aksidenti ka ndodhur në Qafë Thanë, kur furgoni që vinte në drejtim të Pogradecit është përplasur me autobotin që spërkat rrugën në një segment në ndërtim. Policia bëri të ditur se nga përplasja mes dy mjeteve nuk ka pasur të dëmtuar, edhe për faktin se shpejtësia e mjetit tip furgon ka qenë e vogël, ndërkohë që dëmet kanë qenë thjesht materiale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›