Banorët e Fierit në protestë kundër Bankers Petroleum: Po na shkatërron shtëpitë
Qindra banorë të komunës Zharrëz në Fier kanë protestuar gjatë ditës së sotme kundër kompanisë kanadeze Bankers Petroleum, e cila u ka shkaktuar dëme të shumta materiale në banesa dhe duke i terrorizuar, si pasojë e shpërthimeve nëntokësore.
Për rreth një orë banorët kanë mbajtur të bllokuar aksin nacional Fier-Berat, ndërsa më pas u janë drejtuar çisternave të kompanisë, duke hapur rubinetat dhe duke derdhur naftën bruto në shenjtë proteste.
Policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka arrestuar dhjetra banorë, duke thënë se protesta e tyre ka qenë e paligjshme.
Kompania kanadeze, për shkak të lidhjeve politike, nuk ka paguar asnjëherë tatim- fitimi që kur ka filluar të punojë në Shqipëri. Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, u shpreh disa kohë më parë se, trafiku i naftës në Shqipëri është më i madh se ai i drogës.