E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Gërdecit: Gjykata e Lartë po pret zgjedhjet për të vendosur për Mediun

Kolegji penal vendosi ta shtyjë procesin për në datën 6 korrik. Reagojnë familjarët e viktimave, ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Laureta Rryçi

Tiranë - Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit e akuzuan dje Gjykatën e Lartë se po bën lojën e politikës. Pak çaste pas vendimit të kolegjit penal për shtyrjen e procesit për në datën 6 korrik, banorët reaguan duke e cilësuar si një vendim politik duke qenë se janë në pritje të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në logjikën e tyre kjo gjykatë vetëm sa po e stërzgjat procedurën e procesit, pasi pas zgjedhjeve ish-ministri mund të marrë një mandat të dytë. Ndërkohë që kolegji penal e argumentoi këtë vendim me faktin se një nga gjyqtaret, Irma Bala, ndodhej jashtë shtetit për një vizitë shëndetësore. Nga ana tjetër, grupi i prokurorëve nuk kanë preferuar të japin deklarata në lidhje me këtë vendim. Gjithashtu familjarët kërkojnë pezullimin e gjyqit dhe procedimin ndaj 29 të pandehurve në një proces të vetëm gjyqësor. Ata u shprehën se ditën e mërkurë avokatët që kanë përzgjedhur do të depozitojnë padinë në Gjykatën Kushtetuese. Objekti i padisë mësohet se do të jetë shfuqizimi i vendimit të Gjykatës së Lartë për veçimin e dosjes. “Gjykata e Lartë po gjykon me dy standarde. Lulzim Bashën e gjykoi me Andi Tomën, ndërsa Fatmir Mediun nuk do ta gjykoje me 28 të pandehurit e tjerë”, - u shpreh dje për mediat një prej avokatëve të familjarëve, Andi Kanani. Familjarët, nëpërmjet avokatëve, kërkojnë që procesi të mos ndahet në dy dosje, njëra e ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që gjykohet në Gjykatën e Lartë dhe tjetra në dosjen me 28 të pandehur, që gjykohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës.
Vendimi
Kolegji penal, pasi u paraqitën të gjitha palët në sallë, vendosi të shtyjë seancën. Për shkak të mungesës së gjyqtares Iram Bala për arsye shëndetësore u vendos që seanca e ardhshme të caktohej më 6 korrik. Seanca e djeshme do të ishte e para, pas veçimit të dosjes së ish-ministrit Mediu ndaj 28 të pandehurve të tjerë të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Vetë kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu, si në seancat e tjera, nuk ka preferuar të jetë i pranishëm në gjykim, por të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës. Ish- ministri i Mbrojtjes akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe gjykohet i vetëm në këtë gjykatë, pasi dosja e tij u veçua nga 28 të pandehurit e tjerë. Dosja me 28 të pandehurit e tjerë aktualisht është në Gjykatën e Faktit të Tiranës në pritje të fillimit të seancës së parë gjyqësore.
Vendimi për të ndarë çështjen “Gërdeci” në dy procesi u mor pak kohë më parë nga Gjykata e Lartë. Kolegji Penal i kësaj gjykate pranoi kërkesën e bërë nga avokatët mbrojtës të të pandehurve, se gjykimi në Gjykatën e Lartë do t’u shkelte të drejtën të pandehurve për t’u ankimuar në gjykatat më të larta, ndërkohë që në kompetencë të kësaj gjykate janë vetëm personat me imunitet.
Padia
Familjarëve të viktimave të Gërdecit tashmë u ka mbetur si shpresë e vetme Gjykata Kushtetuese. Ata shprehen se kanë besim se Kushtetuesja do të vendosë drejtësinë në vend në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë që për të mos humbur afatet, tri paditë civile për pasojat që solli Gërdeci tashmë janë depozituar në Gjykatën e Faktit të Tiranës. Shorti e ka përcaktuar që do të jetë gjyqtari Arben Konstandini gjyqtari që do t’i gjykojë këto padi. Në padinë e familjarëve i kërkohet Ministrisë së Mbrojtjes që të paguhet dëmi financiar prej 36 milionë lekësh, ndërsa në padinë e shtetit kërkohet 17 milionë euro që të paguhet nga firma private “Albademil”.

Dosja e bujshme që u shpërbë

Dosja “Gërdeci”, për të cilën prokuroria ngriti akuzë për 29 persona, tashmë është ndarë në dy pjesë. Njëra dosje ndodhet për gjykim në Gjykatën e Lartë, me një të pandehur, ish-ministrin e Mbrojtjes, kryetarin e Partisë Republikane Fatmir Mediu. Ndërsa dosja tjetër në Gjykatën e Tiranës, me 28 të pandehur të tjerë. Nga 29 të pandehur, të cilët prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori Teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i “MEICO”-s, Sokol Gjeçi. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.

Të dhëna zyrtare pas tragjedisë, që janë në dosjen për gjykim

26
është numri i viktimave
27
persona u plagosën rëndë
109
persona u plagosën lehtë
67
persona me dëmtime të tjera të lehta
61
persona të tjerë të trajtuar në spitale
5829
personave u është shkaktuar dëm material
2 141 343 616
lekë është vlera e dëmit të shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi etj.
13
ferma bujqësore dhe blegtorale janë dëmtuar
102 500 000
lekë është vlera e dëmit shkaktuar shtetit
1 323 600 354
lekë është vlera e dëmit material nga shpërdorimi i detyrës

Të pandehurit e procesit të Gërdecit

Fatmir MEDIU

Ylli Pinari
Sokol Ngjeçi
Mihal Delijorgji
Dritan Minxolli
Ardian Mullahi
Shkëlzen Madani
Dashnor Çaushi
Armand Tartari
Luan Hoxha
Agim Lala
Hilmi Laçaj
Ndue Marku
Shpëtim Spahiu
Zihja Bahja
Agim Babameto
Rezart Tërshana
Besnik Dauti
Fatbardh Kuçi
Gëzim Oshafi
Jorgo Mino
Denis Hajdari
Fari Toska
Zenun Fero
Hysni Çoçka
Adriatik Mema
Juliana Margariti
Lavdi Shatro
Fiqiret Mato
Personi juridik, shoqëria “Albademil” shpk

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›