Familja denoncon zhdukjen misterioze të një 18-vjeçareje në kryeqytet
Tiranë – Një maturante është zhdukur në rrethana ende të paqarta dhe familja është vënë në alarm duke denoncuar në polici humbjen e saj. Lajmi u bë i ditur dje për gazetën “Albania”, nga burime zyrtare tek Komisariati i Policisë Nr. 6 në kryeqytet. Mësohet se dy ditë më parë, shtetasi Ramadan Allaraj, 55 vjeç, banues në fshatin Prush, komuna Vaqarr, ka bërë kallëzim penal. Allaraj ka denoncuar se rreth orës 09:00 të datës 13 qershor, i është larguar nga banesa vajza Rrushe Allaraj, 18 vjeçe. Policia tha se menjëherë pas denoncimit nisi të punojë për gjetjen e Rrushe Allarajt, por deri tani, nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e saj, kurse hetimi po vijon në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Dukuria e zhdukjes së vajzave kryesisht në moshë adoleshence, është dendësuar shumë kohët e fundit në Tiranë dhe rrethe. Në pjesën më të madhe, ato kthehen në banesë ditë më pas, duke deklaruar se ishin larguar me dëshirën e tyre dhe ku më së shumti, janë gjetur nëpër motel apo ambiente të tjera me djem që kishin kaluar ditë të mbushura me seks të shfrenuar, larg vëmendjes prindërore.
Librazhd, humb 34- vjeçari me probleme mendore, policia shpall kërkimin
LIBRAZHD- Një 34-vjeçar nga komuna Hotolisht në Librazhd rezulton i zhdukur prej 10 ditësh. Sipas familjarëve të tij Luan Alliu, është larguar nga shtëpia mëngjesin e 6 qershorit dhe sipas familjarëve 34-vjeçari vuan nga probleme mendore. Pas denoncimit të familjes, policia është vënë në kërkim të Luan Alliut, i cili sipas dëshmive është parë për herë të fundit në Fushë Buall të qytetit të Elbasanit.
“Kartat” Fier, mbi 4000 persona rrezikojnë votën
FIER- Mbi 4000 persona të papajisur me pasaportë në qarkun e Fierit rrezikojnë të mos votojnë më 28 qershor, për shkak se ende nuk kanë aplikuar. Numri i madh i personave të cilët ende nuk kanë kryer procesin e aplikimit lidhet me probleme e shumta që kanë shoqëruar atë që prej nisjes së tij, siç janë dhe mangësitë në adresa të cilat kanë lënë jashtë procesit një numër të konsiderueshëm personash. Kur mbetet dhe pak kohë nga zgjedhjet e 28 qershorit, aplikimet në qarkun e Fierit do të shtyhen dhe tre ditë të tjera. Qarku i Fierit ka gjithsej 224.278 votues nga të cilët 50.182 pa pasaporta. Deri më tani në 26 njësi vendore kanë aplikuar 45.688 persona pa pasaportë, ndërsa 4494 persona ende nuk kanë aplikuar. Të tjerë qytetarë, të cilët kanë kryer procesin shprehen mjaft të shqetësuar për tërheqjen e kartave, për shkak të anomalisë që shfaqet në sportelet ku bëhet dhe tërheqja e letërnjoftimeve elektronike.
16 Qershor 2009