Seanca gjyqësore për pallatin e rrëzuar, zbulohet raporti që paralajmëroi tragjedinë
Gjirokastër - Inxhinieri gjeolog Thanas Llahana dëshmoi në seancën e gjashtë gjyqësore në ngarkim të shtatë personave të akuzuar si përgjegjës për rrëzimin e pallatit më 9 nëntor të vitit të kaluar në lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën gjashtë të tjerë, se në raportin e tij teknik paralajmëroi tragjedinë për shkak të shtresave të paqëndrueshme gjeologjike të zonës, ku do të ngrihej qendra e re tregtare. Në dëshminë e tij, zoti Llahana, gjeolog profesionist, ka shpjeguar para trupit gjykues, të kryesuar nga Desard Avdulaj, se sipas studimit të kryer për terrenin përkatës është vërtetuar se kishte përbërje shtufore dhe ishte e paqëndrueshme, çka ishte e formuluar qartësisht edhe në raportin që ndodhej brenda dosjes që u administrua nga Prokuroria e Gjirokastrës një ditë pas tragjedisë. Pasi ka dhënë shpjegimet e saj në seancën e djeshme gjyqësore, pala mbrojtëse e të akuzuarve ka kërkuar nga trupi gjykues dëshminë e ekspertëve, të cilët u morën me administrimin e fakteve në terren pas tragjedisë për të zbardhur çështjen. Grupi i ekspertëve, i përbërë nga katër persona, pritet të japë dëshminë në seancën e radhës që do të zhvillohet pas 15 ditëve, më 30 qershor. Në raportin e nxjerrë nga ekspertët në muajin janar të vitit të kaluar, dy muaj e gjysmë pas tragjedisë, e përjashtonin nga përgjegjësia gjeologun Thanas Llahana dhe inxhinierin Luan Bufi. Mësohet se pas raportit të ekspertëve në vendngjarje dhe pas ballafaqimit nga prokurorët e çështjes me dosjen e ekspertëve në vendin e ngjarjes, çështja penale ndaj njërit prej të akuzuarve kryesorë për tragjedinë, inxhinierit gjeolog, Thanas Llahana, është pushuar nga prokuroria që heton këtë çështje.
Vrasja e deputetit Xhindi, Nishani: “Hetimet janë shtrirë në disa pista”
TIRANË - Shumë nga pistat hetimore të ngritura për zbardhjen e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, në Fier, janë reduktuar dhe tashmë po punohet vetëm në disa prej tyre. Në një prononcim për mediat, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, bëri të ditur se puna hetimore mbi këtë ngjarje të rëndë është përqendruar në disa pista hetimore. “Në momentin e ngjarjes kanë qenë disa pista hetimore, ndërsa në këto momente është reduktuar shumë numri i tyre”, - tha Nishani. Mbështetur në informacionet që dispononte, Nishani pohoi se “nuk kam asnjë informacion që mund të ketë një pistë që lidhet me motivet politike”. Ministri i Brendshëm konfirmoi angazhimin maksimal të Policisë së Shtetit në zbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi. “Hetimet për këtë ngjarje tragjike po drejtohen nga organi i Prokurorisë, ndërsa Policia e Shtetit ka ofruar në këto hetime ekspertët e saj më të mirë”, - tha ai.
Fatmir Xhindi, deputeti i Partisë Socialiste, mbeti i vrarë në një atentat me armë zjarri ndaj tij, më 2 maj të këtij viti, pranë banesës së tij në Roskovec në Fier. Ndërkohë, organet hetimore janë duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorit të krimit të rëndë.
16 Qershor 2009