Kuvendi prokuron mega-printerin për prodhimin e posterave
Zbardhet procedura e prokurimit me negocim të drejtpërdrejtë. Kuvendi prej disa javësh ka ndërprerë aktivitetin, por prokurimet vazhdojnë
Habjon Hasani
Tiranë - Në buletinin e djeshëm të portalit të prokurimeve u publikua një njoftim i ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë, ku institucioni njoftonte lidhjen e kontratës me një kompani private për “shërbimin me impiantin e printerit ‘Xerox Docutech 135’”. Në dukje njoftimi përbën një prokurim rutinë për një institucion shtetëror që mes mijëra shkresash herë pas here ndien nevojën e shërbimeve të printimit. Por, modeli i printerit që ka prokuruar Kuvendi, në fakt, është një printer-kombinat i specializuar në prodhimin e faqeve me rezolucion të lartë, pra një printer i ideuar posaçërisht për prodhimin e posterave dhe fletëpalosjeve. Ky model printeri i dhuron produktit cilësinë e “filmit” dhe letra del e shndritshme, ndërsa ngjyrat janë me një rezolucion dhe kthjelltësi maksimale. Madje, në shpjegimet përkatëse të vetë firmës, printeri u sugjerohet kryesisht botimeve të cilësisë së lartë dhe posterave apo fletëpalosjeve cilësore. Këtë procedurë Kuvendi e ka ndërmarrë në një periudhë që sesioni parlamentar ka pushuar, ndërsa procedura ka qenë me negocim dhe pa shpallje. Pra, në njëfarë mënyre, ka qenë një prokurim i ngutshëm i drejtpërdrejtë.
Vlera
Janë vetëm 690 mijë lekë shërbimet që do të kryejë printeri “Xerox Docutech 135” për Kuvendin, megjithatë, detaje interesante gjenden dhe në mënyrën se si është servirur në portalin e prokurimeve (vetëm 2 javë para zgjedhjeve) ky njoftim. Nëse e krahasojmë shpalljen me shpalljet analoge të Kuvendit në portalin e prokurimeve, gjejmë disa diferenca interesante. Kuvendi, në mënyrë tepër rigoroze, në çdo shpallje të tijin, prej disa vitesh ka përcaktuar në mënyrë të qartë objektin e prokurimit, ndërsa kësaj here nuk ka ndodhur. Gjithashtu, gjatë të gjitha prokurimeve Kuvendi nuk ka harruar asnjëherë të shpallë dhe afatet e ekzekutimit të kontratës nga ana e firmës që ka marrë përsipër kryerjen e shërbimit. Megjithatë, kësaj here këto elemente nuk i gjejmë. Një tjetër mungesë në shpalljen publike lidhet me faktin se mungojnë të dhënat klasike mbi statusin dhe identitetet e firmës së kontraktuar. Në mënyrë të përsëritur, Kuvendi, por edhe institucionet e tjera, paraqesin NIPT-in dhe të dhënat e kompanisë që kryen shërbimin, ndërsa në rastin konkret emri i kompanisë është dhënë vetëm përbri një adrese (që është adresa e kompanisë), saqë është paksa e vështirë të dallosh nëse ky emër nënkupton kompaninë apo adresën e saj.
Zgjedhjet
Mungesa e përcaktimit dhe detajimit mbi llojin dhe natyrën e prokurimit që ka kryer Kuvendi në rastin konkret duket paksa e çuditshme. Megjithatë, në të njëjtin buletin, në portalin e prokurimeve, e njëjta firmë që është kontraktuar nga Kuvendi rezulton se është kontraktuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në rastin e KQZ-së nuk kemi të bëjmë me një kontratë shërbimi, por me një kontratë qiraje. Edhe në këtë rast lloji i procedurës ka qenë “procedurë me negocim, pa botim paraprak të njoftimit të kontratës”, ndërsa objekti i prokurimit ka qenë marrja me qira e 66 fotokopjeve/printer A3. Vlera e kontratës ka qenë 1 milion e 353 mijë lekë, pa TVSH. Ndryshimi mes prokurimit të KQZ-së dhe atij të Kuvendit ka qenë se KQZ-ja ka specifikuar jo vetëm objektin e prokurimit, por edhe të dhënat korrekte për identitetin e kompanisë që ka kryer shërbimin.
Shpenzimet e fushatës, qeveria firmosi lehtësimin doganor pesë muaj më parë
Më 14 janar të këtij viti, kryeministri Berisha ka firmosur aderimin e Shqipërisë në Konventën e Lehtësimit Doganor, konventë kjo që kryesisht mbështet heqjen e barrierave doganore për aksesorët dhe mjetet mbështetëse për fushatat turistike mes vendeve pjesëmarrëse. Thelbi i marrëveshjes ka të bëjë me shmangien e doganimit për ato pajisje dhe aksesorë që janë në funksion të fushatave ndërgjegjësuese për turizmin dhe që futen për përdorim të përkohshëm në territorin shqiptar. Në listën e mjeteve dhe aksesorëve që bëhen pjesë e marrëveshjes përfshihen dosje, pamflete, libra, revista, guida, postera, me dhe pa kornizë, fotografi, me dhe pa kornizë, harta, të ose të pailustruara, diapozitiva, flamurë, diograma, bocete, një numër i arsyeshëm flamurësh etj. Nëse u referohesh të dhënave që shpallen publikisht nga agjencitë e huaja që menaxhojnë fushatat, ato i shpallin pikërisht këto pajisje si mjete të punës së tyre. Pra, nga sa më sipër, del e qartë se ky ligj i ka klasifikuar edhe mjetet e fushatës si turistike, mjaft që subjektet që i sjellin në Shqipëri t’i deklarojnë ato si pajisje në kuadër të fushatave turistike. Vendimi i qeverisë për të ndërmarrë një nismë të tërë ligjore vetëm për këtë çështje nuk duket i kotë. Nëse partitë e mëdha do të pajtojnë kompani ndërkombëtare për menaxhimin e fushatës, atëherë është e qartë se ato do të ofrojnë një infrastrukturë të madhe, që gjatë rrugës për në Shqipëri do të duhet të deklarohet në doganë dhe të taksohet. Këto taksa mund të shkojnë në qindra mijëra euro, çka rrit koston e financueseve (partive). Kësisoj duket se qeveria u ka hequr paraprakisht shqiptarëve nga shporta e përbashkët të ardhurat nga këto taksa për të shpërblyer kuruesit e ardhshëm të fushatës së saj, e jo vetëm të saj. Vendimi në fjalë parashikon që “realizimi i kësaj marrëveshjeje mund të zbatohet vetëm nga agjencitë turistike që porositin dhe detajojnë mallin që do të futet përkohësisht në vendin tonë”.
Financimi i shpenzimeve, fushatat luksoze bëhen pa inventarë
Në Kodin e ri Zgjedhor janë sanksionuar katër kategori, të cilave do t’u ndalohet me ligj financimi i fushatave elektorale. Kështu, kategoritë e mëposhtme janë personat juridikë apo shoqëritë tregtare që kanë qenë pjesëmarrëse në tenderat publikë gjatë një periudhe 2-4-vjeçare (mbetet për t’u përcaktuar). Lista vijon më pas me personat juridikë apo shoqëritë tregtare që rezultojnë debitorë në shtet. Kategoria e tretë është ajo e personave juridikë dhe e shoqërive tregtare që kanë përfituar nga fondet publike nëpërmjet projekteve shtetërore. Kategoria e katërt që nuk do të lejohet të financojë fushatat elektorale të partive politike janë personat juridikë dhe shoqëritë tregtare, të cilat janë aksionere në organet e masmedias shqiptare. Kodi Zgjedhor, i miratuar së fundi në Kuvendin e Shqipërisë, ka përcaktuar shumën maksimale për financimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, shuma e dhuruar nuk duhet të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Të drejtën e dhurimit nga fondet jopublike do ta kenë vetëm personat fizikë ose juridikë vendas. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në Nenin 89 të këtij kodi (pra në kategoritë që nuk lejohet financimi) dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Në Kod parashikohet gjithashtu edhe ngritja e sistemit të auditit, i cili do të auditojë financimet që përfitojnë partitë në fushatat elektorale.
16 Qershor 2009