Akuzohet për kontrabandë, policia arreston 54-vjeçarin
VLORË - Blutë e Vlorës kanë bërë të mundur arrestimin e 54-vjeçarit Edmond Ilia me akuzën e përfshirjes së tij në kontrabandën e cigareve. Mësohet se 54-vjeçari Ilia është arrestuar në kushtet e flagrancës për shkak se në pilotinën “Shqiponja”, ku ai punonte, në Portin e Vlorës, u zbulua një sasi prej rreth 1000 paketash me cigare pa pullën fiskale të Ministrisë së Financave. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e dy ditëve më parë, por masa e arrestit ndaj 54-vjeçarit u vendos dje. Ilia akuzohet për veprën penale të kontrabandës me mallrat e akcizës. Policia po heton për origjinën e cigareve, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Adoleshenti godet në Kombinat, plaçkit në rrugë një grua
Tiranë – Është vetëm 16 vjeç, por në vend që t’u gëzohet viteve të bukura të adoleshencës së saponisur, ka vendosur t’i hyjë rrugës së guximshme të grabitjes. Xhejms Lavdërim Xhezaj, 16 vjeç, banues në Kombinat, është identifikuar nga Policia e Tiranës si autor i një grabitjeje të ndodhur dy ditë më parë në orën 21:30, në rrugën “Ll. Bonata”. Policia e Komisariatit Nr. 6 konfirmoi dje për gazetën “Albania” se në orën 02:20 të mëngjesit të djeshëm u krye arrestimi në flagrancë i Xhejmsit 16-vjeçar, pak orë pas “kapjes së trofeut” nga gruaja e pambrojtur. “Të dyshuarit iu kap në flagrancë një çantë, në të cilën kishte një celular ‘Nokia’, 800 lekë dhe një palë syze dielli, që u bllokuan me cilësinë e provës materiale, të cilat ia kishte vjedhur gruas 65-vjeçare Lumturi L., banuese në Kombinat”, - konfirmoi policia.
16 Qershor 2009