BULQIZË – Minatorët e Bulqizës, ndjehen jo vetëm të mashtruar disa herë radhazi, por tashmë dhe të pashpresë, aq sa bëjnë të ditur se do të vetëflijohen duke u djegur me benzinë në mes të rrugëve. Saktësisht 74 minatorë të galerive të minierave të Bulqizës vijuan protestën dhe gjatë ditës së djeshme. Një javë më parë ata u larguan nga puna, sepse miniera ku ata punonin u privatizuan nga disa subjekteve private. Tre ditë më parë, ministri i Ekonomisë Genc Ruli, mori parasysh kërkesën e minatorëve për sigurimin e kushteve teknike dhe urdhëroi pezullimin e punës në 6 galeri private. Po ashtu u tha se minatorët e larguar nga puna nga firmat private do të punësoheshin nga firma ruso-austriake. Mirëpo, as urdhri i Rulit për bllokimin e punës në minierat private nuk është zbatuar, dhe as minatorët e larguar nga këto firma nuk janë sistemuar në punë. Ata janë detyruar dje, t’u rikthehen protestave dhe të kërkojnë ndërhyrjen urgjente të strukturave shtetërore për të ndalur abuzimet me privatizimin e minierave të kromit dhe rikthimin e tyre në punë. Agron Basha, njëri nga drejtuesit e protestës tha dje për “Korrieri”-n,se një javë më parë, ai së bashku me 73 kolegë të tjerë, janë larguar nga puna. “Firma fantazmë që privatizuan galeritë që ndodhen brenda koncesionit të minierës kryesore, vendosën të na largojnë nga puna. Fillimisht u tha se ne largohemi nga puna për mungesë të kushteve të sigurisë në këto miniera, ndërkohë sapo na larguan neve, firmat anonime morën tjetër fuqi punëtore.”- tha dje minatori Basha. “Punojmë prej 30 vitesh në këto galeri. Ndaj do ta vazhdojmë protestën e nisur një javë më parë, sepse ne jemi kundër korrupsionit që bëhet me kromin në këtë zonë. Janë dhënë licenca të shfrytëzimit të mineralit të kromit për firma fantazmë. Vërtetë ministri Ruli kërkoi bllokimin e 6 subjekteve private, por janë dhe shumë subjekte të tjera që nuk kanë as licencë për shfrytëzimin minerar. Pra, punojnë pa pasur asnjë dokument ligjor.”- tha Basha.
Tre janë kërkesat e minatorëve protestues. Kryesorja për ta është rikthimi në punë, së dyti shteti të mos shesë galeri personave të korruptuar dhe që nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë lidhje me minierën, së treti nëse bëhet fjalë për privatizimin e sektorëve minerarë, të parët që duhet sipas tyre të jenë, ata, minatorët që kanë punuar me dekada nëntokë.
Ndërkohë pas urdhrit të ministrit Genc Ruli për pezullimin e punës në 6 miniera private, minatorëve iu tha se zona do të ishte e sigurisë së veçantë dhe se askush nuk do të lejohej të vijonte puna. Por në fakt, 6 subjektet jo vetëm që nuk e kanë ndalur punën, duke sfiduar urdhrin e Rulit, por janë dhe shumë subjekte të tjera që pa pasur asnjë dokument zyrtar për shfrytëzimin e kromit mësohet se vazhdojnë punën. Punëtorët e hedhur në rrugë pretendojnë se ata bënë punimet në galeri dhe sapo mbërritën në vendburimin e kromit, iu dha urdhër që të ndërpritej puna.