Banorët e Gërdecit, kalojnë natën jashtë në shi
Një grua, teksa dridhej nga i ftohti pa këpucë në këmbë, qëndronte dje në shtëpinë e saj pa çatiGËRDEC- Shpërthimi iu shkatërroi shtëpitë, hajdutët i kanë kërcënuar çdo ditë dhe tashmë shiu është armiku i tyre i ri. Banorët e Gërdecit janë gdhirë dje në qiell të hapur e nën reshjet e një shiu që kishte vite që nuk binte në këtë formë. Çdo ditë që kalon gjendja e tyre bëhet edhe më e keqe dhe asnjë dëmshpërblim që mund t'iu japë qeveria nuk mund t'i ndihmojë të vazhdojnë jetën pas dramës së shkaktuar nga fabrika e firmës "Albademil". ***
Ora 03.00 ka shënuar nisjen e një rrebeshi të paparë në të gjithë kryeqytetin por shumë pak njerëz e kanë ndjerë atë. Njerëzit ndodheshin në shtëpi, ndoshta duke fjetur, ndërsa banorët e Gërdecit ishin të vetmit që u ngritën në këmbë duke kërkuar një vend ku të fshiheshin. Frika ka detyruar disa prej tyre që të kalojnë natën në atë që ka mbetur nga shtëpia pas shpërthimit. Pa çati në kokë, pa xhama në dritare e në disa raste pa mure, ata kanë qëndruar në "ish-shtëpinë" e tyre. Vetë banorët kanë dëshmuar se në momentet që ka nisur rrebeshi i shiut, çfarë ka rënë jashtë ka rënë edhe brenda banesave të tyre. Një grua është shfaqur duke u dridhur në atë që kishte mbetur nga dhoma e saj. Ajo kishte kaluar natën aty në mes të shiut sepse kishte frikë për orenditë që i kishin mbetur brenda. Elektroshtëpiake, rroba e orendi të tjera ishin lagur krejtësisht e ndoshta nesër nuk do të jenë më funksionale por kjo grua ishte vendosur që t'i ruante. "Kam kaluar tërë natën këtu. Ishte shumë ftohtë, nuk di si ta shpjegoj. Duket që jam lagur e tëra. I gjithë uji më ka hyrë brenda në shtëpi dhe ende vazhdon të hyjë",- thoshte duke u dridhur një nga banoret e Gërdecit. Ajo nuk kishte këpucë në këmbë dhe ecte zbathur në mes të shiut. Mishi i ishte bërë mornica-mornica nga i ftohti, këmbët ishin nxirë por ajo vazhdonte të rrinte në shtëpinë e saj pa çati. Edhe kurfliste, shiu vazhdonte që të binte brenda shtëpisë së saj por tani nuk kishte më asnjë rëndësi. Ajo grua e kishte humbur idenë e kohës, të të ftohtit apo të vuajtjes. ***
Si ajo kishte edhe shumë të tjerë. Dikush i mbuluar me një batanije të lagur e dikush i mbuluar me qese. Ata kishin nisur betejën e radhës e këtë herë me të ftohtin. Pranë tyre kalonin ushtarakët që bënin punën e tyre e që ndryshonin shumë nga banorët. Ata kishin marrë masat ndaj shiut, kishin veshur rrobat e dimrit ndërsa banorët ishin me çfarë kishin mundur që të gjenin. Ata nuk kishin asnjë çadër që të mbroheshin nga rrebeshi i djeshëm. Pothuajse të gjithë janë shprehur se nuk kishin ndër mend që të linin shtëpitë e tyre të pambrojtura. Kjo pasi shteti nuk është në gjendje që të garantojë se asnjë hajdut nuk do të hyjë gjatë natës e të vjedhë çfarë t'i dalë përpara duke i shtuar edhe më shumë dhimbjen.
***Pranë këtyre banorëve fatkeqë ndodheshin edhe instilacionet e ushtrisë. Disa çadra janë vendosur në ndihmë të tyre që të mbrohen nga i ftohti e shiu por ato nuk kanë funksionuar. Çadrat janë lagur, janë bërë të pabanueshme e sërish njerëzit janë detyruar që të rrinë në ato që kanë mbetur nga shtëpitë e tyre. Ata do të vazhdojnë që të rrinë në këtë gjendje edhe pse moti nuk ka asnjë shpresë që të përmirësohet. E bëjnë këtë gjë se nuk kanë asnjë mundësi tjetër. Atyre nuk u ka dalë ende emri në listat e shtetit që tu japë në mënyrë demonstrative pakon me para. E ndërsa presin atë ditë këta njerëz kërkojnë një ndihmë të vogël, një ndihmë të thjeshtë, të kenë një vend ku të fusin kokën deri sa natyra të vendosë që të hapë qiellin e të pushojë rënien e shiut. E.J