E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, 15 mld lekë dëmi i shkaktuar

 U shqyrtuan mbi 4200 banesa, nga të cilat 3615 prej tyre rezultuan me dëme të shkallëve të ndryshme

 

TIRANË- Afro 19 milion dollarëështë vlera totale e demit të shkaktuar në objektet dhe bizneset private nga shpërthimi i datës 15 mars në repartin ushtarak të Gërdecit. Pas një pune disa ditore grupet e vlerësimit dhe Shtabi i Emergjencës i ngritur apostafat për këtë çështje i ka paraqitur qeverisë të gjithë faturën e demit të shkaktuar të gjitha subjekteve jopublike. Kryeministri Sali Berisha duke bërë bilancin e dëmtimeve të shkaktuara nga kjo tragjedi, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ka bërë të ditur se "vlera totale e objekteve private të dëmtuara arrin vlerën e 1.571.898.399 lekëve". Siç bëri të ditur dhe vet kreu i qeverisë në këtë faturë përfshihet vlerësimi jo vetëm i shtëpive apo objekteve të dëmtuara por edhe vlera e orendive shtëpiake dhe pajisjeve elektronike.

Mbledhja

Kryeministri Berisha ka informuar dje Këshillin e Ministrave, për përfundimin e procesit të vlerësimit të dëmit material në tragjedinë e Gërdecit dhe shumën e akorduar nga qeveria për kompensimin e këtij dëmi. Kryeministri vlerësoi se ky proces falë punës së ekipeve të vlerësimit dhe në marrëveshje të plotë me familjarët, ka mundur të bëj një përllogaritje të saktë të të gjithë demit të shkaktuar. "Në një hark kohor prej katër ditësh, duke përdorur teknologjitë më të mira, u shqyrtuan mbi 4200 banesa, nga të cilat 3615 prej tyre rezultuan medëme të shkallëve të ndryshme nga rrafshimi i plotë, tek dëme te renda, mesatare dhe te lehta", - u shpreh kryeministri duke bere një rezyme të gjithë asaj që pasoi tragjedinë e Gërdecit. Sipas tij, i gjithë materiali vlerësues për çdo rast është përpiluar në praninë e kryefamiljarit dhe janë firmosur jo vetëm nga vlerësuesi por edhe të dëmtuarit. Kryeministri bëri të ditur se vlerësimi i përfunduar përfshin vetëm objekte private dhe jo ato publike të dëmtuara, pasi ato do të trajtohen nga ministri të veçanta. Kështu sipas tabelave të hartuara nga shtabi i emergjencës rezulton se nga 3615 objekte të dëmtuara, vendin e parë e zë Bashkia Vorë me 1112 objekte dhe pas saj vjen fshati Marikaj me 651 objekte, ku përfshihen shtëpi, dyqane, lokale, magazina, fabrika, etj.

Shpërndarja

Të gjithë të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit, për të tërhequr shumën e zhdëmtimit të pasurisë së tyre do të duhet ti drejtohen bankave. Ndryshe nga fondi paraprak i emergjencës për familjet shumë të dëmtuara, i cili u shpërnda me lek në dorë nga shtabi i emergjencës, shuma prej 1.571.898.399 lekësh do të shpërndahet nëpërmjet bankave. Për të tërhequr lekët e vëna në dispozicion nga qeveria të gjithë banorët e prekur nga shpërthimi do të pajisen nga Ministria e Financave me karta bankare. Për këtë kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Financave hapjen e llogarive bankare për familjet sipas listave të hartuara. Kryeministri u shpreh se nuk përfshihen shpërblimet e tjera apo shpenzimet e bëra nga Kovalishenca, ku ndodhen mbi 600 banore te sistemuar. Ndërkohë deri mbrëmë vonë në zyrat e kryeministrisë nuk është bërë publike vendimi se si do të ndahen lekët, pasi Ministria e Brendshme ishte në përfundim të listave të subjekteve që do të përfitonin nga ky kompensim

Do ngrihen grupe pune që do të mbledhin ankesat për vlerësimin e dëmit

Grupe pune për ankesat e qytetarëve

TIRANË- Të gjitha familjet apo individët që do të kenë pakënaqësi në lidhje me vlerësimin e demit të shkaktuar nga shpërthimi datës 15 mars në Gërdec, do të kenë mundësi që të bëjnë ankimim pranë organeve të posaçme shtetërore. Krijimin e një mundësie të tillë e ka bërë të ditur dje kryeministri Sali Berisha, i cili ka urdhëruar Shtabin e Emergjencës, që krahas vlerësimit dhe shpërndarjen e ndihmave për të prekurit nga kjo tragjedi të krijojë dhe një grup të veçantë pune i cili do të presë ankesat nga banorët e zonës të cilët nuk do të jenë dakord me vlerësimin e demit. Kryeministri Berisha kërkoi gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, që Shtabi i Emergjencës Civile të përcaktojë një grup pune për të verifikuar çdo ankesë që mund të kenë qytetarët në lidhje me vlerësimin e dëmit. "Shtabi i Emergjencës Civile ka bërë një punë jashtëzakonisht intensive. Tashmë, është e domosdoshme që ky shtab të përcaktojë, nëpërmjet kryetarit të bashkisë së Vorës, grupin e punës për çdo ankesë që qytetarët kanë për vlerësimin e dëmit", u shpreh Kryeministri. Kryeministri theksoi se nga komunikimi që ka pasur me banorë të kësaj zone, ata janë shprehur të bindur se është kryer një vlerësim objektiv. "Fatmirësisht, i tërë informacioni është i përpunuar në variantin elektronik, por edhe shkresor. Për këdo që do të ketë pretendimin edhe më të vogël, ekipi do të shkojë me të dhe krahas paraqitjes së dokumentit, do të riverifikojë me përgjegjësi të plotë terrenin", theksoi Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›