Arrestimi i policëve, rrugët e Fierit pa kontroll
Në të gjithë rrethin kanë mbetur në shërbim vetëm 13 policë qarkullimi, nga 30 që është organika
Prej pasdites së të mërkurës, akset kryesore të rrethit të Fierit nuk po mbulohen me shërbim të policisë rrugore. Grupet e postblloqeve që ishin vendosur në linjat jashtë qytetit, si edhe në afërsi të zonave të banuara kanë munguar si pasojë e “tërmetit” që preku efektivat e qarkullimit rrugor në Komisariatin e Fierit. Në aksin rrugor Fier-Vlorë dhe atë Fier-Lushnjë, asnjë nga postblloqet e rrugorëve nuk ka qenë në shërbim as mbrëmjen e së mërkurës dhe në vijim edhe gjatë gjithë ditës së enjte. I vetmi postbllok që ka funksionuar ka qenë ai në Qafën e Lalarit, në rrugën Fier-Ballsh. Tre policë të bërë së bashku kanë qëndruar gjatë gjithë ditës në këtë vend, por për çudi nuk kanë kryer ndalimin e asnjë makine. Ata janë shprehur se e kanë pasur të vështirë shërbimin dhe aq më shumë ndalimin e makinave, pas ngjarjes së regjistruar me kolegët e tyre. Edhe nëpër rrugët e brendshme të qytetit të Fierit, si edhe të qytezave të Patosit e Roskovecit gjatë të mërkurës dhe të enjtes nuk ka pasur shërbim policor për qarkullimin. Zyrtarisht nga sektori i policisë së qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier mësohet se nga 30 efektiva policie që ka pasur sektori i qarkullimit në Komisariatin e Fierit, vetëm 13 janë në shërbim, nga të cilët disa janë me lejen vjetore. Ata që mbeten e kanë pasur mjaft të vështirë të mbulojnë problemet e trafikut në një rreth të madh siç është Fieri. Kreu i policisë rrugore në Komisariatin e Fierit, Baftjar Adushi, tha se “e kam pasur mjaft të vështirë, por përballë një aksioni për policë të pakorruptuar më duhet të pranoj vështirësinë”. Më tej, ai ka sqaruar se zëvendësimi i punonjësve të prangosur dhe në ndjekje penale do të bëhet pas vendimeve që do të marrë gjykata. Dje ka vijuar marrja në pyetje e të gjithë policëve të arrestuar. Fillimisht ka qenë drejtori i policisë së qarkut dhe kryeprokurori i rrethit të Fierit, Mërgim Hoxha dhe Altin Binaj ata që kanë zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura dhe më pas ka nisur procesi i marrjes në pyetje i të gjithë policëve të prangosur, si edhe i atyre të vënë nën hetim në gjendje të lirë.
#