Fier, gjendet i vdekur topografi i qarkut
Policia dyshon për vrasje, por nuk përjashton vetëvrasjen ose rënien aksidentale nga ura
Gjendet i vdekur në rrethana misterioze topografi i Këshillit të Qarkut të Fierit. Trupi i pajetë i 59-vjeçarit Dhimitraq Gjika është gjetur mëngjesin e djeshëm nga një kalimtar. Policia nuk ka gjetur shumë gjurmë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që zyrtarisht ka deklaruar se në trupin e topografit ka shenja dhune. Dyshohet se topografi është vrarë, megjithëse do të jenë hetimet ato që do të zbardhin më tej misterin.
Zyrtarisht burime nga grupi i hetimit thonë se në trupin e viktimës janë gjetur disa hematoma. Dyshohet se ato mund të jenë shkaktuar ose nga një mjet i fortë, ose si pasojë e rënies nga një lartësi mbi 7 metra, lartësi kjo e urës nën të cilën u gjet i vdekur. Mësohet se policia ka marrë në pyetje disa të afërm të tij, si edhe të njohur. Konfirmohet se Gjika është larguar rreth orës 06:00 të mëngjesit nga banesa e tij. Familja e topografit, e përbërë nga bashkëshortja dhe dy fëmijë, ka në pronësi dy shtëpi, një apartament në lagjen “29 nëntori” dhe një tjetër banesë në lagjen “Bishanakë”. Si Gjika ashtu edhe familjarët e tij nuk kanë pasur asnjë konflikt, ndaj edhe motivi i vdekjes mbetet i vështirë për t’u zbardhur nga policia.
Burimet zyrtare të Policisë së Fierit pohojnë për gazetën “Shqip” se “në orën 09.10 minuta është njoftuar salla operative e Komisariatit të Fierit. Kujtim Mane, banor i lagjes “Bishanakë”, ka njoftuar policinë se pranë Urës së Trenit ka parë trupin e një njeriu të vdekur”. Menjëherë pas sinjalizimit, drejt vendit të përcaktuar nga Kujtim Mane është nisur furgoni i patrullës së përgjithshme të policisë lokale. Sipas burimeve policore mësohet se, ashtu siç edhe kishte njoftuar banori i lagjes, poshtë një ure treni është gjetur kufoma e një burri.
Policia ka bërë kontrollin e viktimës dhe ka nisur menjëherë hetimet. Ndërkohë që pranë vendit ku u gjet viktima janë mbledhur me dhjetëra banorë të lagjes. Fermani, një i moshuar rreth të 60-ave, ka thënë për gazetën se viktimën e ka parë në kohën kur në vendin e ngjarjes ishte policia. “Në anën e majtë të fytyrës, konkretisht nga hunda e tij, kishte shenja gjaku, kishte pasur hemorragji të madhe. Me sa dallova, rrobat nuk i kishte të dëmtuara”, ka thënë Fermani për gazetën. Identifikimin e viktimës policia e ka kryer në vendin e ngjarjes. Një i afërm i tij, djali i hallës, ka identifikuar viktimën, i cili ishte Dhimitraq Gjika, 59 vjeç, lindur dhe banues në Fier.
Pas identifikimit, policia ka bërë transportin e viktimës drejt morgut të spitalit rajonal të Fierit, ku u është nënshtruar ekspertizave të mëtejshme mjekoligjore.
Topografi 59-vjeçar punonte prej vitesh në zyrën e urbanistikës së këshillit të qarkut dhe njihej si një nga profesionistët më me përvojë në Qarkun e Fierit. Ai njihej si konsumator alkooli dhe si pasojë prej disa kohësh vuante nga mëlçia dhe stomaku, për të cilat kishte marrë edhe trajtim mjekësor disa javë më parë.
#