E Diel, 1 Nëntor 2026

Anulohet tenderi i kartonëve, bllokohen dhënia e patentave

Anulimi i tenderit të kartonëve për patentat ka lënë pa këtë dokument qindra persona. Drejtoritë e Transportit Rrugor nëpër rrethe kanë marrë konfirmim zyrtar se është anuluar tenderi dhe për këtë arsye, janë shtyrë të gjitha afatet për pajisjen me dëshmi aftësie për shoferët e rinj. Vetëm në qytetin e Korçës që në muajin shkurt, siç bëhet e ditur nga drejtori Refat Agolli, nuk janë dhënë patenta për shkak të mungesës së kartonëve, të cilat në fakt kanë qenë në një numër të reduktuar, krahasuar me kërkesën e madhe të aplikantëve dhe të fituesve të testeve për marrjen e dokumentit të drejtimit të automjetit. Nga të dhënat zyrtare mësohet se për më shumë se një muaj është penguar puna edhe pse ka ankesa të shumta nga personat që janë në pritje për të marrë një patentë dhe të cilët edhe pse i drejtohen zyrave përkatëse marrin një përgjigje negative për pajisjen. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se nga Rrethi i Korçës janë të paktën 300 persona, të cilëve iu është bllokuar dhënia e patentave për shkak të mungesës së kartonit. Fillimisht aplikantëve u është bërë e ditur se ka mungesa për shkak të numrit të reduktuar të kartonëve në kryeqytet, gjë që ka çuar në plotësimin e pjesshëm të tyre dhe në një shpërndarje minimale në muajin janar, por më vonë me bllokimin e shpërndarjes është dhënë edhe një argument i dytë, se nuk punon kompjuteri qendror i prodhimit. Vetëm një ditë më parë, në Drejtorinë e Transportit Rrugor ka mbërritur edhe një shkresë zyrtare që bën të ditur arsyet që kanë çuar në këtë mangësi, që lidhet në fakt me anulimin e tenderit të kartonëve në kryeqytet. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 40 ditë që nga bllokimi i procedurave, nuk ka një konfirmim të qartë se kur do të bëhet prodhimi dhe shpërndarja në rrethe e patentave për drejtuesit e rinj të mjeteve dhe ata që kanë aplikuar për dokument të ri. I njëjti problem është vërejtur edhe në Sarandë, ku konfirmohet se janë bllokuar të paktën 170 procedura për marrje patente. Edhe në qytete të tjera situata është e njëjtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›