E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha të lexojë dosjen e mjedisit që i kemi dërguar

Pas deklarimeve të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me mjedisin në kryeqytet, kryebashkiaku Edi Rama ka reaguar dje, duke kërkuar që qeveria të angazhohet me fakte dhe jo me batuta në shfaqjet televizive, për të përmbushur detyrimet e saj për mbrojtjen e mjedisit. Rama kërkoi më tej që Kryeministri të mos e zvarrisë më tutje dosjen e propozimeve konkrete, që ka prej muajsh në tavolinë. Ai i ka kujtuar kreut të ekzekutivit se për këto propozime ka rënë publikisht dakord ndaj dhe duhet që t‘i kthejë ato në masa konkrete ligjore dhe administrative.

"Kryeministri duhet të shpjegojë publikisht pse nuk mbajti asnjë nga fjalët që u dha në nëntorin e shkuar kryebashkiakëve të opozitës, duke mbajtur peng procesin e decentralizimit dhe duke penguar përmirësimin cilësor të qeverisjes vendore", tha kryebashkiaku Rama. Sipas tij, qeveria "Berisha" është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për ajrin e ndotur nga makinat, për të cilat nuk ka asnjë standard apo rregullim ligjor të përshtatur me ambicien e anëtarësimit në BE. Ai ka fajësuar shefin e qeverisë edhe për rrugët e ndotura përditë nga makinat e rënda që lëshojnë baltën e betonin dhe që për kryebashkiakun nuk goditen sa dhe si duhet. Ai nuk ka lënë mënjanë as pikën e grumbullimit e të përpunimit të mbeturinave në Sharrë në zonën e Kombinatit. "Ajo duhet të spostohet nga Sharra jashtë zonave të banuara dhe duhet të kthehet në një "landfield" rajonal" theksoi Rama në qëndrimin e tij zyrtar si krybashkiak i Tiranës.

Rama e ka thumbuar më tej Kryeministrin Berisha, duke i kujtuar këtij të fundit se problemet nuk zgjidhen me batuta.

"Me batuta ai nuk zgjidh asnjë nga problemet që ka detyrim ligjor për Tiranën dhe nuk mbulon dot asnjë nga plagët që qeveria e tij krejt e paaftë po thellon, në vend që të shërojë, duke bërë që sot shqiptarët të jenë më të papunë, më të varfër, më të pambështetur sesa ditën kur u dhanë votën qeveritarëve të sotëm", nënvizoi fort numri një i pushtetit vendor kryeqytetas. Në këtë linjë ai i ka bërë thirrje Kryeministrit "të mos i zvarrisë më tutje shqiptarët me gënjeshtra të reja për të mbuluar të vjetrat, por ta shfrytëzojë kohën që i ka mbetur në krye të qeverisë, së paku për të penguar degradimin e mëtejshëm të ekonomisë e të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë". Kryeministri Berisha pak ditë më parë u shpreh për një program të përbashkët me Bashkinë e Tiranës në funksion të mjedisit të ndotur në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›