E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni me patentat, arrestohen tre zyrtarë

Tre zyrtarë dhe dy pronarë autoshkollash kanë përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase, pasi akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe për falsifikim dokumentesh. Operacioni për kapjen e tyre u realizua pasditen e djeshme nga Task-Force, në bashkëpunim me skuadrën operacione të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se specialistët e seksionit të Luftës Kundër Krimit Financiar, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale, në kuadër të operacionit të koduar "Gërshërët e Ligjit", realizuan gjatë ditës së djeshme arrestimin në flagrancë të 5 personave. Sipas policisë, këta persona akuzohen për "korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike", "korrupsionit pasiv dhe aktiv në sektorin privat" si dhe të "falsifikimit të dokumenteve zyrtare, vepra penale të kryera në bashkëpunim. "Konkretisht, në prangat e policisë përfunduan dy anëtarë të komisionit të marrjes në prova për leje drejtimi mjeti, pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, 1 pronar autoshkollash dhe dy instruktorë teorie dhe praktike pranë autoshkollave", deklaroi policia e kryeqytetit. Sipas tyre, dy anëtarët e komisionit janë Emiljano Kapllan Kahu, 31 vjeç, banues në Shijak dhe Sokol Osman Breca, 43 vjeç, banues në Tiranë. Ndërkohë, të arrestuarit Jonus Riza Meshi, 58 vjeç dhe Qazim Hasan Hoxha, 57 vjeç, të dy banues në Tiranë, ishin me detyrë instruktor teorie dhe praktike pranë autoshkollës "Univers-Vip". Gjithashtu, policia arrestoi edhe Kadri Mehmet Dajçin, 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në sektorin e Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë Tiranë, i cili ishte bashkëpronar në autoshkollën "Univers-Vip". Policia e Tiranës detajoi në lidhje me këtë operacion se pas një hetimi disamujor, nën drejtimin e Task-Forcës së Krimit Financiar dhe Korrupsionit, duke përdorur metodat speciale të hetimit, u mundësua dokumentimi i veprimtarisë kriminale, që këta persona kryenin në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Të sipërcituarit dyshohen se personave të ndryshëm u merrnin para kundrejt dhënies së një dëshmie aftësie për drejtim mjeti. Kështu, pas hetimeve dhe mbledhjes së provave, prokuroria ka prerë urdhër-arrestet për të gjithë të lartpërmendur. Ndërsa në orët e pasdites është ndërmarrë operacioni për kapjen e tyre. Ndërkohë, pas arrestimit të pesë personave, policia tha se ka ushtruar kontroll në ambientet e zyrave dhe të banesave të tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar, personave iu gjetën dhe iu sekuestruan 7 milionë lekë shqiptare, 300 Euro, 300 USD si dhe një sërë dokumentesh të falsifikuara, që shërbenin për plotësimin e dokumentacionit të kursantëve. Gjithashtu, atyre u janë gjetur edhe 50 patenta të plotësuara, të cilat dyshohen se janë bërë të falsifikuara. Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se materialet hetimore do t‘i kalojnë për kompetencë Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Mekanizmi

Merrnin 65 mijë

lekë për patentë

Pesë të arrestuarit e mbrëmshëm përfitonin nga 65 mijë lekë për të nxjerrë një patentë. Mekanizmi i tyre është zbuluar nga agjentët e antikorrupsionit, të cilët kanë hetuar këtë grup prej disa javësh. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se pajisjen me dëshmi për drejtim automjeti, të arrestuarit e plotësonin për të gjithë të interesuarit që përpara zhvillimit të testimit kundrejt shumës së parave prej 65 mijë lekë për çdo patentë. Në të shumtën e rasteve, kursantët takoheshin me pronarin e autoshkollës, i cili është edhe punonjës policie dhe me të kryenin pazaret. Pas kësaj, ata dorëzonin të dhënat personale dhe pajiseshin me patentë automjeti, pavarësisht se nuk kishin bërë kurs dhe nuk i nënshtroheshin testimit të detyrueshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›