E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Kasharit ankohen për policinë dhe prokurorinë

Banorët e Komunës së Kasharit, në periferi të Tiranës, vazhdojnë të denoncojnë mbivendosjet e pronave pas vitit 1992, megjithëse janë sorollatur nga policia dhe prokuroria. Vetëm dje në Prokurorinë e Tiranës janë paraqitur tre banorë, të cilët ankoheshin se dokumentet që disponohen nuk po verifikohen nga hallkat e drejtësisë. Sipas banorit, ai kishte shkuar fillimisht në Policinë e Tiranës, ku kishte marrë si përgjigje se me këtë çështje është marrë prokuroria. Me dokumente në "krahë" është nisur në organin e akuzës, ku ka marrë një përgjigje se duhet të shkojë në polici për të bërë denoncimin dhe më pas uniformat blu i referojnë dokumentet në prokurori. Megjithëse kaloi disa dhjetëra minuta, ai nuk ka marrë zgjidhje, duke u "sorollatur" në oborrin e prokurorisë. Sipas tij, disa ditë më parë, kishte shkuar në Hipotekën e Tiranës, ku kishte kërkuar të shiste pronën e tij. Por si përgjigje mori se prona në fjalë nuk është në emrin e tij, por të një personi tjetër. I revoltuar i është drejtuar Komunës së Kasharit, ku ka marrë si përgjigje se prona nuk është e tij. Por rasti i tij nuk është i vetmi në komunë, pasi në Prokurorinë e Tiranës janë regjistruar dhjetëra kallëzime nga banorët e zonës. Janë rreth 30 hektarë tokë bujqësore dhe truall që dyshohet se kanë nga dy pronarë. Të dyshuarit kryesorë për këto afera korruptive janë drejtuesit ndër vite të komunës, të cilët duke bashkëpunuar, madje edhe mos denoncuar shkeljet e paraardhësve të tyre, kanë kryer një sërë falsifikimesh të dokumenteve. Dëmi ekonomik, sipas akuzës së kryeqytetit, llogaritet në miliona euro. Prej më shumë se shtatë vitesh, tre kryekomunarë në Kashar, kanë abuzuar me mbivendosjen e dhjetëra hektarëve tokë bujqësore dhe troje, duke shkaktuar miliona euro dëm. Prokuroria e Tiranës tha se Alfred Sulaj, Faik Fejza dhe Naim Karaj, me detyrë kryetarë dhe ish-kryetarë të kësaj komune, gjatë periudhës 2000-2007, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokave dhe kanë pajisur me vërtetime pronësie persona të ndryshëm, duke mos qenë banorë të Komunës së Kasharit, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Denoncimet janë regjistruar në akuzën kryeqytetase, e cila ka filluar hetimet një vit më parë, në bazë të materialeve të servirura nga të dëmtuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›