E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga, kërkohen 12 vjet burg për Artur Kolecin

I vetmi person i identifikuar, i konsideruar nga prokuroria si rrjet kriminal i trafikut të drogës, rrezikon tashmë të kalojë 12 vitet e ardhshme në burg. Prokurori i çështjes ka kërkuar dje gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare të akuzës shpalljen fajtor të Artur Kolecit dhe dënimin e tij me 12 vjet heqje lirie si dhe 1 milionë lekë gjobë. Gjithsesi i pandehuri, i cili po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet, do të përfitojë uljen e 1/3 së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse ai shpallet fajtor. Ai akuzohet për veprën penale të "Trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim", vepër e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Koleci, i njohur edhe me emrin Artur Cartis, është i akuzuari i vetëm i dosjes dhe është gjykuar në mungesë, pasi i shpëtoi arrestimit. Rrjeti në të cilin dyshohet se bënte pjesë edhe një person tjetër, mendohet se e kalonte drogën nga Selaniku i Greqisë me destinacion Korçën, Tiranën dhe Kavajën. Droga, rreth 8 kilogram heroine, për të cilën filluan hetimet, ishte kapur në automjetin e markës "Mercedez Benz", me targa KO 2374 B, në pronësi të Redian Beçokut. Hetimet e mëtejshme zbuluan se Koleci, i cili tashmë rrezikon 12 vjet burg, ishte pritësi i mallit në Shqipëri, ndërsa drejtuesi i mjetit nuk ka pasur dijeni mbi këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›