Gjykim i shkurtuar për zyrtarët e Ministrisë së Punës
Ish-zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe një biznesmen, të arrestuar pak muaj më parë me akuza korrupsioni, duket se kanë vendosur që të mos e zgjasin shumë procesin e tyre gjyqësor. Që në seancën e parë, ata kanë kërkuar procedimin me gjykim të shkurtuar, duke shmangur kështu zgjatjen e procesit si dhe përfitimin e uljes së dënimit në rast të shpalljes fajtorë. Kërkesa e tyre është pranuar nga gjykata dhe në seancën e radhës mund t‘i jepet fjala prokurorit të çështjes për të lexuar konkluzionet përfundimtare të akuzës.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spartak Gjini, nëpunësi tjetër i kësaj ministrie, Llambi Tarka, dhe biznesmeni Fiqiri Pali, janë paraqitur dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet në seancën e parë të procesit në ngarkim të tyre. Ata janë akuzuar për veprat penale të "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" në bashkëpunim dhe "Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike", të parashikuara nga nenet 259 dhe 244 të Kodit Penal. Gjatë prezantimit të kërkesave paraprake, avokatët mbrojtës kanë kërkuar gjykimin e shkurtuar, duke u bazuar mbi materiale që janë administruar tashmë nga prokuroria në dosjen hetimore. Të pandehurit nga ana e tyre nuk e kanë pranuar fajin, por vetëm kanë mbështetur kërkesën për gjykim të shkurtuar. Pas një konsultimi të shkurtër, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Martin Deda, e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka shtyrë seancën.
Dy zyrtarët e Ministrisë së Punës, si dhe pronari i firmës ndërtuese "Sireta 2F", janë arrestuar në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar. Ata akuzohen se kanë ndërhyrë për të ndryshuar fituesin e një tenderi me vlerë 400 mijë euro, i cili është zhvilluar në muajin shtator të këtij viti. Sipas akuzës Gjini dhe Tarka kanë bërë presion mbi një firmë tjetër për të favorizuar fitimin e tenderit për rikonstruksionin e një godine nga firma e Fiqiri Palit. Por duket se mënyra e tyre e veprimit nuk është kapërdirë nga një prej pronarëve të firmave të tjera në garë. Denoncimi në prokurori ka vënë në lëvizje strukturat përkatëse, të cilat i kanë përgjuar për disa kohë të pandehurit, të cilët nuk i kanë pranuar akuzat dje përpara gjykatës,