Berisha:Lidhja e energjisë për bizneset, vetëm 40 ditë
Lidhja e energjisë për bizneset u merr autoriteteve kompetente në Shqipëri një kohë jashtëzakonisht të gjatë, e cila, sipas raporteve ndërkombëtare, është 144 ditë. Por Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga ministri i Energjitikës, z. Dritan Prifti, të marrë masa të menjëhershme që këto autoritete ta shkurtojnë në mënyrë drastike kohën e nevojshme për lidhjen e energjisë për bizneset në jo më shumë se 40 ditë. Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua dje mbledhja e Task-Forcës për reformën rregullatore, ku u diskutua raporti për “Sistemin e inspektimit në Shqipëri - analizë dhe opsione”, i hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë, në bashkëpunim me ekspertët e administratës shqiptare. Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha u shpreh se reforma e inspektimit është një prej reformave më thelbësore. “Inspektimet, - theksoi Kryeministri, - përbëjnë një kusht themelor të funksionimit të shtetit ligjor, garantimit të konkurrencës së lirë, por nga ana tjetër ata janë barrë, arbitraritet për biznesin dhe thjeshtimi i tyre; vendosja e një sistemi sa më të reduktuar, të mundshëm dhe eficent duhet të jetë qëllimi i kësaj reforme”. Kryeministri Berisha u shpreh se Task-Forca ka mbi një vit që është angazhuar në reformën e inspektimeve, duke kontraktuar ekspertë ndërkombëtarë shumë të njohur për reformën rregullatore, në nivelin evropian dhe botëror, të cilët kanë analizuar gjendjen aktuale të inspektorateve në Shqipëri dhe kanë bërë sugjerimet e tyre. Kryeministri theksoi se reforma e inspektimit parashikon edhe reduktimin e domosdoshëm të numrit të inspektorateve, në mënyrë që të arrihet një transformim i thellë i këtij sistemi. “Një ndër problemet e mëdha të këtij vendi është numri i madh i inspektorateve, e cila nuk ka qenë vetëm një sëmundje shqiptare. Reforma parashikon reduktimin e domosdoshëm të numrit të inspektorateve. Në procesin e reformimit të inspektorateve vende të ndryshme kanë arritur objektiva të ndryshëm. Disa kanë bërë reduktime drastike të tyre, të tjerë më të pakta. Në qoftë se nuk arrijmë në një transformim të thellë të këtij sistemi, nuk mund të kemi kompetivitetin e duhur, se do të kemi lirinë e duhur të tregut etj. Duke e vlerësuar këtë reformë si ndër më të rëndësishmet që do të ndërmerret, Kryeministri u shpreh se mbi të gjitha inspektoratet do të ndërtohen duke i nxjerrë nga korrupsioni. “Tani do të ecim shpejt, vendosmërisht dhe do të shohim modelin. Modeli më i mirë është ai që përjashton korrupsionin dhe rrit eficencën”. Gjithashtu, në mbledhjen e Task-Forcës për reformën rregullatore u diskutua edhe ngritja e njësisë One-Stop-Shop për aplikimet energjitike. Shqipëria sot është i vetmi vend në Evropë i cili ka 2 one-stop-shop-e në nivelin kombëtar: QKR dhe QKL. Por reforma rregullatore do të avancojë më tej, duke prekur sektorët e energjisë dhe atë minerar. Ngritja e njësisë One-Stop-Shop për aplikimet energjitike është shpallur si një prioritet në programin qeveritar për vitin 2010. Gjatë mbledhjes u bë një prezantim për versionet e ndryshme të këtij modeli, në mënyre që institucioni i ri të jetë një ndihmë reale ndaj investitorëve të huaj dhe vendas për sa u përket investimeve në sektorin e energjitikës. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u ndal në kohën jashtëzakonisht të gjatë që autoriteteve kompetente në Shqipëri u duhet për lidhjen e bizneseve me energjinë, e cila sipas raporteve ndërkombëtare është 144 ditë. Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Energjitikës, z. Dritan Prifti, të marrë masa të menjëhershme që këto autoritete ta shkurtojnë në mënyrë drastike kohën e nevojshme për lidhjen e energjisë për bizneset në jo më shumë se 40 ditë. Mbledhja e Task-Forcës për reformën rregullatore diskutoi ndër të tjera edhe projektligjin “Për marrjen në kontroll të shoqërive publike”. Ky projektligj ka si objekt përcaktimin e rregullave që lidhen me kushtet dhe procedurat për ofertat publike të blerjes së titujve të emetuar nga një shoqëri aksionare.