BE, Suedia: Shqipëria bëri progres, opozita po dëmton integrimin
Suedia, e cila mbyll Presidencën 6-mujore të Bashkimit Evropian, përmes së ngarkuarës me punë në Tiranë, Elisabet Stam, vë në dukje se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, krahasuar me një vit më parë. Duke iu referuar progres-raportit të tetorit, zonja Stam shprehet se ecuria e reformave në Shqipëri ndiqet me një interes të veçantë nga vendet e Unionit. Ajo vuri dje në dukje se Suedia ka monitoruar procesin e reformave në Shqipëri. “Dhe së bashku me aktorët e tjerë të unionit, bëmë raportin që u botua në muajin tetor. Këtë vit ai ishte më i mirë se ai i një viti më parë. Nuk mund të themi se ishte jashtëzakonisht i mirë, por ne themi shpesh që do të donim një progres të përshpejtuar, më të shpejtë se ç’ka ndodhur. Por me sa duket, Shqipëria ka prioritete të tjera për momentin”, - theksoi znj. Stam. Për të theksuar mbështetjen e vendit të saj për Shqipërinë gjatë Presidencës së Bashkimit Evropian, znj. Stam ndalet tek vendimi i 16 nëntorit, i cili i hapi rrugë shqyrtimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat dhe përshpejtimit për liberalizimin e vizave. Diplomatja suedeze komenton edhe situatën politike në Shqipëri. I quan protestat e opozitës si e drejtë demokratike, por shprehet qartë se pas disa muaj tubimesh dhe bojkoti të Kuvendit, nuk ka pasur asnjë efekt pozitiv prej tyre. “Ne kemi dhënë opinionin tonë që në fillimet e këtij bojkoti dhe sigurisht protestat janë një pjesë e demokracisë dhe për sa kohë ato janë paqësore, janë gjithashtu dhe të pranueshme. Por nga ana tjetër, që prej disa muajsh, nuk po shohim asnjë efekt pozitiv të këtij bojkoti. Ne i kemi kërkuar lidershipit politik në vend, të të dyja palëve që duhet gjetur dialogu, sepse në të kundërt kjo do të ishte diçka e keqe për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
“Mungesa e opozitës në Parlament, - shtoi diplomatja Elisabet Stam, - ka ndikim negativ edhe në proceset integruese, në projektin afatgjatë të anëtarësimit apo atë të afërt të heqjes së vizave. Bojkoti i opozitës është gjithashtu negativ dhe për procesin integrues të Shqipërisë dhe për procesin e liberalizimit të vizave. Ka disa kritere dhe rregulla që duhen respektuar dhe nëse situata politike mbetet pezull kjo do të jetë e vështirë për ne që të mbështesim integrimin e shpejtë të Shqipërisë dhe nga ana tjetër kjo mund të ketë efekte negative. Ky proces duhet përshpejtuar jo vetëm për të mirën tuaj, por dhe për ne”, - u shpreh znj. Stam. Suedia mbyll Presidencën 6-mujore të Bashkimit Evropian me një bilanc pozitiv për vetë bllokun dhe vendet aspirante: Ratifikimi i Traktatit të Lisbonës, heqja e vizave për tri vende të Ballkanit, pranimi i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Për Shqipërinë vlerësimi i kësaj presidence është i qartë.