E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ali Demi”, PD publikon dosjen e tretë korruptive

Pas aferave korruptive të “Tajvanit” dhe “Dajtit”, është radha e dosjes “Ali Demi”. PD-ja përmes deputetit të qarkut të Tiranës, Florion Mima, denoncoi dje dhunimin e hapur në kundërshtim me ligjin që kryebashkiaku Edi Rama i ka bërë një familjeje tiranase. Z. Mima akuzoi dje kryebashkiakun e kryeqytetit se ka uzurpuar një pronë të ligjshme të një familjeje tiranase, e cila nga sipër duket si lulishte, ndërsa nga poshtë janë hapur themelet e një grataçiele. Informacioni i demokratëve ka ardhur nga një grup banorësh të “Ali Demit”, të cilët përmes fakteve dhe dokumenteve konkrete, vërtetojnë plotësisht një tjetër shkelje flagrante të kryer nga kreu i bashkisë. “Ky dhunim i hapur i të drejtës pronësore të një familjeje tradicionale tiranase është në kundërshtim flagrant me vendimet e gjykatave të këtij vendi, duke uzurpuar një pronë të ligjshme, e cila nga sipër duket si lulishte, por nëntokë mban themelet e grataçielave të tij. Me detajet e këtij krimi do të njiheni në ditët në vijim”, - deklaroi deputeti i PD-së, z. Florion Mima. Ai vuri në dukje se PD-ja nuk do të reshtë së denoncuari publikisht korrupsionin e Edi Ramës në kurriz të qytetarëve të Tiranës. Kjo, sipas Mimës, derisa ai apo organet e drejtësisë të japin përgjigje se përse toka rreth hotel “Dajtit” është shitur nga Edi Rama me 1500 euro metri katror, ndërsa vetëm disa metra larg saj, në parkun “Rinia”, pranë objektit “Tajvan” ajo është shitur me 94 euro metri katror. “Edi Rama duhet të gjejë kurajon të dalë e të përgjigjet vetë e të mos nxjerrë në ekrane zëdhënëset e tij, të cilat jo vetëm kërcënojnë deputetët e popullit, por paturpësisht vendosin edhe epitete ndaj tyre. I them Edi Ramës se ne nuk kemi frikë nga kërcënimet e tij e nëse ka njeri që duhet të këtë jo lepurin, por mamuthin në bark, duhet të jetë ai. Edi Rama të mos përdorë si gjethe fiku ata që sot shesin një pronë 500 mijë euro e nesër e blejnë po atë për 1 euro”, - u shpreh deputeti i PD-së, z. Florion Mima. Po dje, edhe deputeti tjetër i PD-së i qarkut të Tiranës, z. Gent Strazimiri, akuzoi Edi Ramën për diferencat në çmimet për interes të klanit mafioz të ndërtimit. Ai u ndal në skandalin me diferencën e vlerësimit të të njëjtit truall në qendër të Tiranës. Sipas Strazimirit, trualli mbi të cilin është vendosur hotel “Dajti” është vlerësuar me 1500 euro metri katror e vetëm 30 metra më tej aq sa ç’është gjerësia e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” është vlerësuar me 97 euro, truall nga i cili ka përfituar z. Rama. “Diferenca e truallit besoj se është një çështje që duhet të ngjallë interesin e opinionit publik, të medias dhe kujtdo tjetër. Duke pasur parasysh mënyrën se si është shitur, vlerësuar dhe mënyra se si është përfituar për shkak të këtij trualli është krejtësisht klienteliste dhe aspak e bazuar në ligj. Duke qenë se as shitësi dhe as përfituesi i këtij trualli nuk e kanë tokë bazë apo të trashëguar truallin në fjalë, nuk kuptohet përse diferenca shkon në disa 10-fish më pak nga hotel “Dajti” deri tek parku “Rinia”, - deklaroi z. Strazimiri. “Duke qenë se toka, - shtoi ai, - ka të njëjtin kriter, sepse sido që ta ndash Tiranën, ajo bie në qendër të saj, besoj se dhe kjo nuk do të ishte arsye që do të përligjte diferencën e çmimit nga njëra anë e xhiros në tjetër. E vetmja arsye në opinionin tim dhe të shumë prej kolegëve të mi dhe besoj dhe të opinionit të gjerë në Tiranë, është që qytetarët e Tiranës, ky shtet, ka paguar miqësinë shumë të shtrenjtë midis besës së “Tajvanit” dhe kryetarit të bashkisë me diferencën e këtij çmimi. Besoj se është një çështje e cila duhet vlerësuar nga të gjithë ne dhe besoj se është një çështje për të cilën kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe të gjithë këta që kanë bërë këto vlerësime për të njëjtin truall me këto diferenca, do të duhet të japin një shpjegim”, - theksoi z. Strazimiri. Deputeti i PD-së pohoi se do ta ngrenë këtë çështje derisa të marrim një përgjigje ashtu sikurse do t’u drejtohet edhe organeve të drejtësisë që t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›