E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banorët e Kuqanit protestë për tokën

16/03/2005  FIER - Banorët e Kuqanit, në qytetin e Patosit, kanë zbritur

dje në Fier për të protestuar për tokën, që, sipas tyre, është e ndarë padrejtësisht në zonën e tyre. Ata për të disatën herë për të njëjtin problem kanë zhvilluar takim me shefin e zyrës së mbrojtjes së tokës në Qarkun e Fierit, Ramadan Kanani. Prej vitesh, ata janë ankuar për një ndarje jo të drejtë të rrënjëve të ullinjve në këtë zonë, procedurë kjo që gati 70% të fshatit e ka lënë jashtë përfitimit. Sipas tyre, vetëm 30% e banorëve kanë përfituar nga ndarja e ullinjve dhe ata në mënyrë jo të drejtë, kush ka marrë shumë dhe kush shumë pak për të arritur te shumica, që nuk kanë asnjë rrënjë ulli. Ky fenomen, sipas tyre, ka ardhur nga mungesa e përgjegjësisë së pushtetit vendor dhe forcës së individëve të veçantë në këtë zonë. “Kemi vite që jetojmë në këtë vend dhe nuk është e drejtë që të mos përfitojmë atë që na takon me ligj”, kështu është shprehur një nga banorët, Agim Shpata. Shefi i zyrës së mbrojtjes së tokës, Ramadan Kanani, është shprehur në takim me banorët e Kuqanit se ka ngritur një komision për të kontrolluar edhe një herë procedurën e ndarjes së tokës në këtë zonë dhe për të evidentuar nëse ka apo jo shkelje, edhe pse ai ka pohuar se ka kohë që ekziston një anomali në lidhje me këtë fenomen, anomali kjo që kërkon ndërhyrjen e instancave më të larta. Banorët e Kuqanit kanë thënë për gazetën se kanë shkuar shumë herë për të marrë kontakt me kryetarin e Bashkisë së Patosit, i cili e zgjedh komisionin e ndarjes së ullinjve dhe ai nuk i ka pranuar, madje, kanë thënë ata, në shumicën e rasteve ka dërguar policinë bashkiake për t’i larguar. Sipas banorëve, ajo çka ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve me tokën e fshatit të tyre jo vetëm që nuk është e drejtë, por ka sjellë dhe jo pak probleme. Së pari, banorët ankohen për problemet ekonomike të shkaktuar nga një ndarje e tillë e padrejtë, pasi dhe 70% që nuk ka marrë asnjë rrënjë ulli mund të kishte patur mundësinë për të punuar dhe ta shfrytëzonte tokën më së miri, por ndërkohë kjo “tokë e askujt” ka krijuar dhe disa konflikte të vogla mes fshatarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›