E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grindet me bashkëmoshatarin plagoset më armë 20-vjeçari

16/03/2005  Identifikohet autori, por i ikën policisë

VLORË – Një grindje e çastit, mes dy të rinjve, në qytetin e Vlorës, është mbyllur me plagosjen e lehtë të njërit dhe shpalljen në kërkim të një tjetri. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qytetit bregdetar mësohet se mbrëmjen e djeshme është regjistruar një plagosje me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18, në një lokal, në zonën e njohur si ish-Fusha e Aviacionit, rreth 3-4 kilometra larg nga qendra e Vlorës.

Ngjarja

Po sipas të njëjtave burime zyrtare, bëhet e ditur se shtetasi Zenel Lila, 20 vjeç, është plagosur në pulpën e këmbës nga një plumb i dalë nga pistoleta e një bashkëmoshatari të tij, të identifikuar tashmë nga policia. Burimet kanë bërë të ditur mbrëmë, për gazetën “Metropol”, se ngjarja ka ndodhur në një lokal të lagjes, ku dy të rinjtë kanë qenë duke pirë kafen e pasdites me njëri-tjetrin. Në një moment mes dy të rinjve ka filluar një konflik, motivi i të cilit nuk është bërë i ditur për median, por që cilësohet nga organet policore si motiv i dobët. Pasi kanë shkëmbyer disa batuta të hidhura mes tyre, autori i plagosjes ka nxjerrë një armë, tip pistoletë, që kishte me vete dhe ka qëlluar në këmbë 20-vjeçarin Lila, duke e lënë të plagosur në vend.

Hetimi

Pas ngjarjes, autori është larguar me shpejtësi, ndërsa i plagosuri Zenel Lila është dërguar me urgjencë në spitalin civil të Vlorës për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Sipas burimeve mësohet se i plagosuri ka qenë me shumë fat, pasi plumbi e ka kapur rrëshqitazi, duke mos i shkaktuar plagë të thellë dhe duke mos rrezikuar kësisoj jetën e tij. Pas plagosjes, në drejtim të vendngjarjes kanë shkuar dhe forca të policisë së komisariatit të Vlorës, të cilat kanë bërë këqyrjen e vendit dhe kanë marrë deklarimet e dëshmitarëve. Blutë kanë bërë shumë shpejt identifikimin e autorit, të cilin e kanë shpallur ne kërkim, emri i të cilit, për arsye hetimi, nuk është bërë i ditur për median. Blutë kanë dyshimin se plagosja nuk ka qenë një tentativë vrasjeje, por më shumë një përpjekje për ta trembur 20-vjeçarin, që ka mbetur mbrëmë i plagosur. Burimet policore kanë thënë se Lila njihej si djalë i qetë në zonë, ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta që për agresonin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›