E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjakmarrja, vritet i riu në qendër të qytetit

16/03/2005  Një i dyshuar sipas policisë, por ende i paarrestuar

SHKODËR - Tronditet përsëri nga vrasja qyteti i Shkodrës. Një i ri është ekzekutuar dje me armë zjarri në njërën nga rrugët kryesore të qytetit. Ngjarja ka ndodhur në njërën prej lagjeve më të vjetra të Shkodrës, pikërisht në lagjen “Salo Halili”, apo siç e quajnë shkodranët, në zonën e ”Xhabiej”, rreth orës 14:30. Me tre plumba pistolete është qëlluar për vdekje 25-vjeçari Taulant Çinari, banues në qytetin e Shkodrës. Motivi i vrasjes dyshohet që të ketë qenë gjakmarrja.

Ngjarja

Ka qenë pikërisht ora e drekës, kur Taulanti, i hipur në një biçikletë “Montain Bike”, ka dalë nga rruga e “Tophanës”, te lagjja ”Xhabiej” dhe ka marrë rrugën nga kjo lagje drejt lagjes ”Qemal Stafa”. Duke qenë se ky aks rrugor ka shumë makina, ai ka eënë duke ecur afër trotuarit, ku dhe është qëlluar tri herë radhazi me armë zjarri pistoletë nga persona të paidentifikuar. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se vrasësi, pasi është siguruar se plumbat kishin qëlluar në shënjë, është larguar drejt një makine, tip “Benz”, që e priste në rrugën e “Tophanës”, me ndihmën e së cilës është larguar me shpejtësi pa rënë në duart e policisë. Humbja e madhe e gjakut nga plagët e marra, ka bërë që i riu të mos i rezistojë vdekjes, pa mbërritur akoma në spitalin e Shkodrës.

Hetimet

Sipas të njëjtave burime zyrtare nga policia e qytetit të Shkodrës mësohet se dyshimet kryesore rreth skemës së kësaj ngjarjeje janë se vrasësi, i ka studiuar mirë lëvizjet e Taulantit dhe kjo, sipas tyre, vërtetohet me faktin se vrasja e bërë në një rrugë kryesore i ka lejuar autorit të ekzekutimit të largohen me shpejtësi. Menjëherë pas vrasjes, forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë filluar të grumbullojnë informacionet e nevojshme. Një pjesë e punonjësve të policisë kriminale kanë filluar punën për të grumbulluar informacion për drejtimin e largimit të autorëve të krimit, drejt të cilit janë nisur forcat e policisë. Ndërsa një grup tjetër punonjës policie kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, marrjen e dëshmive si dhe kanë filluar punën për të gjetur motivin e vrasjes më të fundit të ndodhur në kryeqëndren e Veriut. Burimet bëjnë të ditur se pista më e mundshme e kësaj vrasjeje është gjakmarrja, sepse para 8 viteve, i riu i vrarë dje, Taulant Çinari, është akuzuar në Gjermani për vrasjen e shokut të tij, afërsisht të një moshe, qytetarit tjetër të qytetit të Shkodrës, Ardian Çarkut. Ndërkohë që mbrëmë burime të rezervuara kanë deklaruar se grupi i hetimit ka shoqëriuar një të dyshuar dhe deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është punuar për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Ishte dënuar me 4 vjet burg, kishte dy vjet në liri

Viktima, vrasës në Gjermani

Taulant Çinari, sipas burimeve policore, mësohet se rreth 8 vjet më parë është dënuar nga gjykata gjermane me 4 vjet heqje lirie, për vrasjen e shtetasit Ardian Nikoll Çarku. Por, duke qenë se në atë kohë Çinari, ishte vetëm 17 vjeç ka bërë gjysmën e dënimit të dhënë nga gjykata si minoren që ishte asaj kohe. Viktima e djeshme, po sipas të njëjtave burime, kishte dy vjet që kishte dalë nga burgu dhe ishte kthyer në shtëpinë e tij në Shkodër. Ndërkohë gjatë viteve të fundit, familja e Ardian Çarkut ka lëvizur nga Lezha, ku kanë qenë me banim në kohën e vrasjes së djalit të tyre, në fshatin e Vrakës në Shkodër. Burimet nga policia theksojnë se, pavarësisht nga kjo pistë, hetimet nuk do të ndalen për të gjetur pista të tjera, si dhe për të zbuluar autorët e krimit, qofshin këta për hakmarrje të shokut të vrarë, qofshin për gjakmarrje të njerëzve të fisit të viktimës së para 8 viteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›