E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spitali i Shijakut, pas përurimit,pret pajisjet dhe aparaturat

16/03/2005  Drejtori i Drejtorisë Spitalore, Kristaq Huta, fajëson fituesit e tenderit

DURRËS - Ndonëse spitali i Shijakut, në rrethin e Durrësit, është

përuruar një javë më parë, qytetarët, por edhe bluzat e bardha, vazhdojnë t’i drejtohen spitalit të vjetër. Lidhur me mosfillimin e funksionimit të spitalit të Shijakut, drejtori i Drejtorisë Spitalore në Durrës, Kristaq Huta, e pranon si fakt, ndërsa fajëson për moskorrektësi firmat, që kanë fituar tenderin për kompletimin e spitalit me pajisjet e nevojshme. Për sa i përket mundësisë së mbërritjes së pajisjeve, Huta, në intervistën e tij për gazetën “Metropol”, nuk jep ndonjë afat, por bënë të ditur se do të vijnë së shpejti.

Pas përurimit, siptali i Shijakut ende vazhdon të mos funksionojë. Si shpjegohet kjo?

Është e vërtetë se rikonstruksioni i spitalit të Shijakut, me një vlerë prej 17.8 milionë lekë të buxhetit të shtetit, është përuruar më datë 11 mars. Në ditën e përurumit ka marrë pjesë edhe kryetari i qeverisë, Fatos Nano, ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, deputetë dhe drejtues të lartë në Qarkun tonë. Është e vërtetë që spitali nuk ka nisur nga funksioni, por theksoj se në ditën e përurimit nuk është deklaruar se kur spitali do të presë pacientët e parë. Aktualisht spitali qëndron i mbyllur dhe personeli, që do të kalojë në spitalin e ri, shërben në spitalin e vjetër.

Kryeministri pohoi se pas dy ditësh gjithçka do të jetë në vendin e vet. Pse kjo vonesë?

Edhe unë kam qenë në përurim. Është e vërtetë se Kryeministri deklaroi që në dy ditë, pra më 13 mars do të vinin pajisjet dhe dy autoambulanca. Të gjitha procedurat kanë përfunduar dhe vonesat janë çështje teknike, që kanë të bëjnë me vonesën e nisjes së materialeve. Dua të theksoj se këto nuk kanë qenë të parashikuara, prandaj edhe është shtyrë koha e hapjes së dyerve të spitalit të ri.

Cilat janë arsyet e mosmbërritjes ende të aparaturave për vënien në punë të spitalit të ri?

Vlera e mësipërme e investuar ka shërbyer vetëm për rikonstruksionin e godinës dhe përshtatjen e saj nga mjedis ushtarak në atë spitalor. Por që spitali të nisë nga puna duhen pajisje dhe aparatura. Fondet për pajisjet janë lëvruar dhe firma fituese e tenderit ka detyrimin të sjellë pajisjet. Krahas pajisjeve që janë shtretër, rafte, stola, komodina, dyshek etj., duhen edhe aparatura. Për pajisjet janë lëvruar 4 milionë lekë dhe firma fituese e tenderit duhet t’i kishte sjellë ato nga Italia. Për çështje të ndryshme ngarkesa është shtyrë dhe ne sot kemi marrë konfirmimin se pajisjet janë nisur sot (të martën) nga Italia. Unë besoj se në dy ditët e ardhshme do të dërgohen dhe vendosen në spitalin e ri të Shijakut.

Në këtë fond përfshihen edhe aparaturat e nevojshme?

Jo. Çështja e blerjes dhe instalimit të aparaturave ka ndjekur një rrugë tjetër. Me sa jam vënë në dijeni, shuma në para për blerjen e aparaturave është deklaruar se do të përballohet nga biznesmenë të Shijakut. Është thënë se pjesa më e madhe e tyre do të blehen në Belgjikë dhe se janë aparatura bashkëkohore. Unë pohoj se në spitalin e ri do të vendoset skopi-grafia, laboratori me pajisjet e veta dhe aparatura e ECO-s. Në këtë siptal do të punojnë katër mjekë të specializuar, 4 laborante, 19 infermiere dhe ndihmësmjekë dhe personeli ndihmës. Janë planifkuar dhe do të funksionojë reparti i pranim-urgjencës, reanimacioni kardiologjik, materniteti, pediatria dhe patologjia.

Kur do të vendosen aparaturat e reja?

Aktualisht këtë nuk mund ta themë. Ata që kanë marrë përsipër janë biznesmenë dhe u përket atyre të mbajnë premtimin. Unë besoj se shumë shpejt gjithçka do të jetë gati, me të gjithë infrastrukturën e duhur.

11 mars 2005

Kryeministri Nano përurori spialin e Shijakut

DURRËS – Disa ditë më parë, Kryeministri Fatos Nano përuroi spitalin e rikonstruktuar të Shijakut.

Sipas deklarimeve nga ministri Solis, për funksionimin e plotë të spitalit është llogaritur një fond në shumën 4 milionë lekë dhe që do të shpenzohen për blerjen e pajisjeve së bashku me aparaturat më të domosdoshme.

“Pajisjet do të vinë pasnesër”, deklaroi Kryeministri Fatos Nano. Nga ana tjetër, Nano tha se edhe dy autoambulancat e reja, të programuara për spitalin e Shijakut dhe të premtuara që me nisjen e investimit, “do të vinë së shpejti”.

Spitali i ri i Shijakut do të ketë 40 shtretër, repartin e pranimit e urgjencës, maternitetin, pediatrinë dhe patologjinë.

Në këtë spital, mësohet se do të punojnë 4 mjekë të specializuar si dhe 40 bluza të bardha së bashku me personelin ndihmës.

Ish-mjediset e Divizionit, ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë së Mesme, ndërtuar në Shijak, i kanë kaluar në administrim bashkisë, e cila, pasi ka shfytëzuar një pjesë të tyre, pret që për shërbime ndaj komunitetit vendës të tjerësojë edhe mjediset e tjera, që aktualisht janë të boshatisura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›