E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grevë urie për 15 metalurgë të Ferrokromit

16/03/2005  Që prej dy ditësh, punonjësit e uzinës kanë kërkuar uljen e çmimit të energjisë elektrike

BURREL - Prej dy ditësh, pesëmbëdhjetë metalurgë të Uzinës së Ferrokromit, në rrethin e Burrelit, janë futur në një grevë urie. Metalurgët janë futur në grevë, rreth orës 17.00 të së dielës, pas një takimi e vendimi të tyre, të cilët deri më 6 shkurt kanë qenë në marrëdhënie punë me këtë uzinë, që është e privatizuar nga firma italiane “Darfo”.

Më 6 shkurt, firma “Darfo” ka prerë marrëdhëniet e punës me 106 punonjësit e saj, duke i flakur në rrugë si të papunë. Mbyllja e punës nga “Darfo” është bërë pas disa kërkesave të saj të drejtuar Qeverisë shqiptare, për uljen e vlerës së energjisë elektrike, bazuar edhe nga ligjet e miratuara, ku ndërmarrjet apo uzinat, të cilët konsumojnë sasi të mëdha energjie elektrike, dhe ku teknologjia e punës saj është e bazuar pikërisht në furnizimin me energji, do të kenë çmime më të lira.

Por, kërkesa e “Darfo”-s nuk është marrë parasyshë. Kjo ka detyruar ndërprerjen e punës nga ana e sipërmarrësve italianë. Nga 106 punonjës, sipas kryetarit të protestës, Arben Mali, është marrë vendimi që 15 vetë, përfaqësues të këtyre punonjësve, të futen në grevë urie. Do të ishin futur të gjithë punonjësit, sipas Malit, por duke qenë se nuk ka ambiente të mjaftueshme, të dielën në orën 17.00 në zyrat e konfederatës së sindikatave janë futur vetëm 15 anëtarë të zgjedhur nga ana e punonjësve.

“Ne, sipas Malit, kërkojmë që qeveria shqiptare të ndërhyjë për të ulur faturën e enegjisë elektrike, dhe ‘Darfo’ të vendoset në një pozicion me Ndërmarrjen e Metalurgjikut në Elbasan, e cila është e favorizuar sipas ligjit për sa i përket çmimit të energjisë elektrike”.

Po kështu, KESH dhe Drejtoria rajonale e saj, i është kërkuar nga ana e grevistëve të urisë që të kryejnë lidhjen e marrëdhënieve ligjore me firmën “Darfo”, për uljen e çmimit të energjisë. Aktualisht çmimi i energjisë elektrike për firmën “Darfo” është 8.6 lekë kilovati, ndërsa ligji e parashikon se çmimi i energjisë për uzina, të cilët vihen në punë me energji elektrike, t’u jepet energjia me një çmim prej 4.8 lekë kilovatin.

“Ne jemi të vendosur për të vazhduar protestën tonë në zyrat e konfederatës sonë, deri në flijim, bëri të ditur Arben Mali. Dalja jonë nga greva e urisë është e kushtëzuar me uljen në bisedime të qeverisë dhe lidhjen e kontratës me ‘Darfo’. I vetmi burim jetese për fëmijët tanë është pikërishtë firma ‘Darfo’, por shteti e bën qëllimisht këtë për të na diskriminuar”. Gjithashtu, Arben Mali, kryetar i grevës, u shpreh se, gjatë gjithë ditës ata mbështeten nga punonjësit, të cilët kanë qenë në punë me ta dhe mosreagimi në kohë i qeverisë mund të shoqërohet me pasoja të tjera akoma më problematike.

“Ne kërkojmë dialog dhe të mos shfaqim shenja dhune apo probleme të tjera, si bllokim rruge dhe daljen e protestueve para godinave të Kryeministrisë. Ne kërkojmë ndërhyrjen në kohë të strukturave qeverisëse, si pjesë e këtij shteti që jemi edhe ne”, përfundon Mali.

Precedenti

Dy vjet më parë iku “Evertrade” nga Laçi

Para dy vitesh ishte një firmë franceze “Evertrade”, e cila ushtronte funksionin e saj në Uzinën e Superfosfatit të Laçit. Në 2002 është tërhequr nga puna investitori, pasi çmimi i energjisë ishte me vlerën e 8.6 lekëve për kilovat. Ndërsa ata kërkonin që çmimi të ishte me 4.8 lekë. Kjo solli për pasojë që Uzina të mbyllet e të dalë në likuidim, duke lënë dhjetëra banorë të zonës së Laçit të papunë dhe në mëshirë të fatit, në një kohë kur uzina e superfosfatit ka qenë një prej burimeve më të mëdha të jetesës për banorët e kësaj zone.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›