Banorët e Nivicës tentojnë të hyjnë në kantier
Pasditja e djeshme ka rikthyer episodet e përplasjeve mes banorëve dhe policisë private që është duke ruajtur kantierin e ngritur në Kakome. Rreth orës 15.00 të së dielës një grumbull banorësh, mes të cilëve dhe gra, kanë kërkuar të kalojnë postbllokun e kantierit, por nuk janë lejuar nga policët e shërbimit. Pas dy orësh përballje me policët e shërbimit, grumbulli i banorëve ka vepruar me forcë dhe ka shkulur traun e postbllokut. Pas këtij veprimi kanë kaluar dy automjete me zyrtarë të Komunës Lukovë, të cilët kanë shkuar pa u penguar më deri në molin e Kakomesë. Pas kalimit të tyre trau është rivendosur dhe tensionet kanë rënë e situata është normalizuar. Ajo ka qenë e vëzhguar dhe në kontrollin e disa uniformave blu të komisariatit të rendit të ardhura nga Saranda, për të cilat nuk ka qenë e nevojshme të veprojnë. Tensioni i djeshëm ka ardhur pas një tentative që ka bërë një ditë më parë një grup i ardhur nga Greqia, të cilët janë paraqitur si gazetarë të kanaleve televizive greke, por që janë identifikuar qysh në kufi si mbështetës të partisë "Laos", deputetët e të cilës votuan ditë më parë kundër ratifikimit të MSA për Shqipërinë.
Mësohet se arsyetimi që ata kanë paraqitur ka qenë se dëshironin të shkonin në "manastirin dhe në tokën greke të Kakomesë". Shërbimet e policisë private nuk i kanë lejuar "gazetarët" të kalojnë, duke u shpjeguar se ata duhet të kishin njoftuar dhe kërkuar leje paraprakisht për të kaluar në kantier, sikurse veprohet edhe për gazetarët shqiptarë.