E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen bombola e gazit, digjet një shtëpi

Shpërthimi i një bombole gazi ka shkaktuar rënien e zjarrit në një banesë e qytetit të Poliçanit ku si rezultat janë shkrumbuar të gjitha orenditë. Flakët e zjarrit kanë përfshirë paraditen e djeshme banesën e Myftar Koronit ne qendër të qytezës, ndërkohë që në ato momente brenda saj ka qenë vetëm bashkëshortja. Banorët e lagjes kanë parë rreth orës 11:00 të dilte tym nga banesa e katit të katërt në një pallat pesëkatësh. Menjëherë është njoftuar reparti i zjarrfikëses në këtë qytet, por mjeti mësohet se nuk ka mbërritur në kohën e duhur si pasojë e amortizimit. Mbërritja e mjetit zjarrfikës ka gjetur thuajse të shkrumbuar një prej dhomave të shtëpisë. Zjarrfikësit kanë nisur më pas nga puna për fikjen e zjarrit dhe kanë arritur të lokalizojnë flakët. Pas më tepër se 30 minutash është arritur fikja e zjarrit. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar më pas ekspertët e policisë për të mësuar shkaqet e rënies së zjarrit. Nga marrja në pyetje e familjarëve dhe hetimet e para është mësuar se zjarri ishte shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi. Gruaja e shtëpisë kishte tentuar të ndizte gazin që përdorte për gatim, por për shkak të rrjedhjes së pakontrolluar ka ndodhur një shpërthim. Gruaja është larguar menjëherë nga banesa dhe ka kërkuar ndihmën e zjarrfikëses me anë të fqinjëve. Nga verifikimet e bëra ka rezultuar se flakët e zjarrit kanë shkaktuar djegien e të gjitha orendive shtëpiake.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›