E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë-Dardha e Librazhdit rrezikon të shembet e tëra

Në fshatin Qafë-Dardhë të Librazhdit, 75 familje me 305 frymë janë në rrezik për jetën. Në qershor të vitit të kaluar në këtë fshat nga rrëshqitja e tokës u rrezikuan 24 familje. Për këto familje nga Kryqi i Kuq dhe sektori i emergjencave u dha një ndihme me 24 çadra dhe nga dy batanije për person dhe u premtua një zgjidhje afatgjatë. Por që nga ajo ditë e deri sot banorët janë të strehuar vetëm me premtimet e qeverisë lokale. Ditët e fundit nga shirat i gjithë fshati u rrezikua duke e shtuar sipërfaqen dhe numrin e shtëpive të dëmtuara nga rrëshqitja e tokës. Rreth 10 familje kanë braktisur shtëpitë ditët e fundit dhe janë strehuar te të afërmit në Librazhd ose Elbasan. Shirat kanë dëmtuar edhe shtyllat elektrike dhe fshatarët kanë qëndruar disa ditë pa drita. Por frika e banorëve është e madhe, sepse rrëshqitjet e tokës bëjnë që të këputen telat e të rrëzohen shtyllat e energjisë elektrike, duke u bërë shkas për aksidente. Gjithashtu, edhe uji për disa javë është ndërprerë, sepse rrëshqitja e tokës ka shkatërruar rrjetin e ujësjellësit. Për të dyja rastet fshatarët kanë punuar vetë për të siguruar energjinë dhe ujin e pijshëm. Banorët, çdo natë flenë nën frikën e rrëshqitjeve dhe fundosjen në ndonjë gropë të madhe që mundet të krijohet nga kjo rrëshqitje. Edhe nga studimi gjeologjik i specialistëve në prefekturë, zona është konsideruar e papërshtatshme për të ndërtuar banesa të reja. Shumë shtëpi janë shembur, një pjesë janë shkëputur nga themelet dhe rrezikohen 305 banorë të këtij fshati. Banorët kanë bërë disa peticione, por nuk është marrë asnjë përgjigje dhe kanë mbetur të pashpresë. Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, ka pranuar që ka rrëshqitje të mëdha të tokës, por nuk rrezikohen banorët. Sidoqoftë, autoritetet po mbajnë nën mbikëqyrje situatën në zonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›