Banorët e Transballkanikes: Do të bllokojmë rrugën
Vlorë-Një përfaqësuese e Ministrisë së Transporteve, shoqëruar nga prefekti i qarkut Xhevahir Rexhepaj, takoi dje katër gratë e ngujuara në grevën e urisë në Transballkanike. Grevistet kanë prezantuar dhe njëherë kërkesat e tyre, duke kërkuar dokumentacionet e plota për shpronësime, procedurat për të cilat kanë shkaktuar vonesa e sorollatje sipas grevisteve. Përfaqësuesit kanë negociuar për ndërprerjen e grevës, duke dhënë alternativa që do të ndihmonin në përshpejtimin e procesit, por sipas grevisteve, edhe në grevën e mëparshme ishte negociuar, por pa rezultat. Grevistet kanë kërkuar jo procedura të përshpejtuara, por dokumentacione konkrete. Vetëm kjo cilësohet si zgjidhje sipas tyre, ndërkohë që të tjerat janë premtime boshe. Banorë të rrugës dhe që presin të shpronësohen gjithashtu kanë kërkuar që kjo çështje të shihej me seriozitet dhe me precedence. Në të kundër ata kanë kërcënuar me bllokim të rrugës. Katër gra vijojnë të refuzojnë ushqimin në formën e grevës së urisë në një nga ambientet pranë kësaj rruge, duke hyrë në ditën e tetë të grevës së urisë, ndërkohë që mjekët për dy prej tyre konfirmojnë gjendjen e rënduar shëndetësore.