E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza, Sollaku: Kufizimi i mandatit, nuk rrit efiçencën

TIRANË- Pakti Kombëtar për Drejtësinë ka mbledhur dje në një tryezë të rrumbullakët ekspertë të fushës dhe drejtues të institucioneve kushtetuese. Në kuadër të procesit “Me Dyer të Hapura” dhe konsultimit me grupet e interesit për hartimin e programit të PS, Fondacioni “Qemal Stafa” në bashkëpunim edhe me sekretariatin për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, organizoi një tryezë rrethore pikërisht për të diskutuar mbi çështjet konkrete të këtij pakti. Në tryezë ku merrnin pjesë dhe figura të njohura të fushës së drejtësisë ka përshëndetur edhe Christopher Zopel, ish Ministër Shteti në Republikën Federale Gjermane, i cili do të kontribuojë pranë Fondacionit “Qemal Stafa” dhe PS për programin e ri politik dhe qeverisës.
Diskutimet
Pas prezantimit të idesë kësaj tryeze, e cila pritet të përvijohet edhe me takime të tjera për çështje konkrete të reformës në drejtësi, nga kreu i fondacionit “Qemal Stafa” Saimir Tahiri, diskutantët kanë debatuar gjatë në lidhje me momentet kyçe që janë përfshirë edhe në paktin e drejtësisë të propozuar nga PS. Duke e vlerësuar këtë dokument si tepër pozitiv, të pranishmit me radhë kanë dhënë vlerësimet e tyre për çështje të ndryshme të kësaj reforme. Kështu duke marrë fjalën akademiku Omari ka diskutuar lidhur me çështjet më të debatueshme që lidhen me këtë reformë. Ai ka dalë në krah të qëndrimit se të drejtën për të inspektuar punën e gjyqtarëve duhet ta ketë vetëm inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Pikënisja e reformës duhet të ishte forcimi i pavarësisë së gjyqësorit, ku veçanërisht duhet ti jepen më shumë kompetenca KLD-së. Ka ardhur koha që inspektimi i ministrisë të kufizohet vetëm në inspektimin e administratës gjyqësore, e cila ka shumë probleme. Ndërsa inspektimi i gjykatave duhet të jetë prerogativë vetëm e KLD-së”, - tha Omari. Ndërkohë ai është shprehur pro kufizimit të mandatit të kryeprokurorit, kundra idesë së kalimit të sistemit të prokurorisë në varësi të ekzekutivit, apo edhe asaj të krijimit të një agjencie hetimore pranë Ministrisë së Brendshme. Në fjalën e tij ai ka vënë theksin tek nevoja e forcimit të rolit të policisë gjyqësore.
Sollaku
Duke marrë fjalën në këtë takim ish-kryeprokurori Sollaku, ka mbrojtur tezën se në Shqipëri ligjet janë të mira, por ato nuk zbatohen. Në këtë linjë ai është shprehur kundra idesë së kufizimit të mandatit të kryeprokurorit, duke theksuar të njëjtën kohë se atij i duhet bërë një përcaktim kompetencash më të qarta. “Sot kryeprokurorin e kemi kryeadministrator dhe kryeprokuror. Unë mendoj që do të ishte një pikë ku mund të studiohej mirë që komponentin kryeadministrator ta marrë ekzekutivi dhe këtu e kam fjalën për mbështetjen administrative, financiare, akses më shumë në politikat e kuadrit etj. Ndërsa kryeprokurori të jetë përgjegjës vetëm për vendimmarrjen e çështjeve konkrete”, - u shpreh Sollaku. Ndërkohë ish-kreu i KQZ-së Celibashi ka hedhur hije dyshimi se pakte apo konsensuse të tilla politike nuk do të kenë efektin e duhur në praktikë. Për këtë ai ka sjellë shembullin e të gjitha kodeve zgjedhore edhe pse ato janë realizuar me konsensusin e të dyja palëve. Megjithatë duke u ndalur tek çështjet konkrete të reformës, Celibashi e ka vënë theksin pikërisht tek sistemi i karrierës së gjyqtarëve, apo prokurorëve. Sipas tij, vetëm kjo do i nxisë ata që hetojnë dhe japin drejtësi që të zbatojnë ligjin për të arritur nivelet më të larta të hierarkisë së pushtetit të gjyqësor. Në debat ka ndërhyrë dhe kreu i dhomës së avokatëve Fatmir Braka, i cili duke kundërshtuar idetë e hedhura nga Sollaku ka theksuar se Shqipëria vuan për ligje. Duke bërë thirrje që të merret më shumë mendimi avokatëve në reformë, ai ka bërë të qartë se vetëm si pasojë e ligjit për legalizimet shtetit shqiptar pas disa vjetësh nuk do t’i mjaftojë i gjithë buxheti për të paguar faturat e vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut në favor të pronarëve të vjetër.
Merr pjesë vetëm Avokati i Popullit dhe një përfaqësues i KLD-së
Ftesa, Drejtësia dhe Prokuroria asnjë përfaqësues
TIRANË- Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë refuzuar djetë marrin pjesë në tryezën e organizuar nga Fondacioni “Qemal Stafa” ku dhe është diskutuar në lidhje me paktin kombëtar për reformën në drejtësi. Një lajm i tillë është konfirmuar nga vet drejtuesi i këtij fondacioni, Sajmir Tahiri, i cili ka shprehur keqardhje që këto dy institucione kyçe të sistemit të drejtësisë nuk i ishin përgjigjur ftesës për tu bërë pjesë e këtij debate. Pra, pavarësisht klimës pozitive konsensuale që është krijuar ditët e fundit Ministria e Drejtësisë dhe organi i akuzës nuk kanë pranuar të marrin pjesë në një diskutim të tillë, ku natyrisht merrnin pjesë përfaqësues të shoqërisë civile dhe drejtues institucionesh. Kjo është interpretuar nga organizatorët e këtij takimi si një mungesë guximi për tu shkëputur nga paragjykimet politike, që mund të vinin në rast se përfaqësues të këtyre institucioneve do të merrnin pjesë në tryezë. Ndërkohë që një tjetër institucion kushtetues që ka qenë në dilemë të pranimit të ftesës së fondacionit “Qemal Stafa” ka qenë ai i Avokatit të Popullit. Ka qenë vet kreu i këtij institucioni Emir Dobiani, i cili duke folur dje gjatë këtij aktiviteti ka shprehur dyzimin që ka pasurpërpara se të vendoste që të merrte pjesë në këtë tryezë. “U vura në dyzim për të ardhur në këtë tryezë, sepse mund të interpretohet si tryezë partiake edhe për shkak të pozicionit tim si Avokat i Popullit si institucion i pavarur”, - u shpreh Dobiani. Ndërkohë që ndaj këtij fenomeni ka reaguar edhe sekretari socialistë për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, i cili ka prurë në vëmendje të pranishmëve edhe rastin e përfaqësuesit të KLD-së, i cili sipas tij për të mos u kompromentuar politikisht qëndroi vetëm fare pak. “Është për të ardhur keq, që individë apo drejtues institucionesh më shumë kujdesen, sesi të forcojnë pushtetet e tyre individuale sesa të përafrojnë realisht sistemin dhe ishim të hapur që ata të ishin sot të pranishëm. Për fat të keq, edhe KLD edhe një anëtar që dërgoi edhe ai sa mbaroi iku, se tha mos hyjë në një siklet politik më shumë”, - tha Xhafaj.
Luan Omari:
“Përsa i përket inspektoriateve mendoj se ka ardhur koha që inspektimi i ministrisë të kufizohet vetëm në inspektimin e administratës gjyqësore, e cila ka shumë probleme. Ndërsa inspektimi i gjykatave duhet të jetë prerogativë vetëm e KLD-së. Sa i përket varësisë së sistemit të prokurorisë unë mendoj se kurrësesi të mos lejohet që prokuroria të kalohet në varësi të ekzekutivit. Ndërkohë që propozimi për të krijuar një Agjenci Hetimore, e cila të jetë nën urdhrat e Ministrisë së Brendshme, mund të ketë pasoja negative. Rruga më e drejtë do të ishte forcimi i policisë gjyqësore”.
Aleks Luarasi:
"Unë e konceptoj reformën në tre pushtete nëse duam që të ecim përpara: reformë në pushtetin legjislativ, ku duhet të ketë më shumë juristë dhe më pak të fortë të cilët i gjen nga të dy anët. Në këtë drejtim unë do të sugjeroja një prag më të lart elektoral që mos të hyjnë në parlament lloj lloj partish të vogla. Reformë në administratën shtetërore dhe reformë në sistemin e drejtësisë. Drejtësia është e goditur nga mosbesimi, populli nuk e beson se e konsideron të gabuar dhe digjet i njomi me të thatin”.
Ilirian Celibashi:
“Unë mendoj se një nga elementët kryesor që ne na bënë të besojmë drejtësinë ka të bëj me karrierën. Duhet të kemi një sistem të pranimit, apo të promovimit të këtyre personave të atillë që të garantojë dhënien e drejtësisë. Askush prej nesh sot nuk di të thotë se kush do të jetë Kryetari i ardhshëm i Gjykatës së Lartë, sepse mungon vlerësimi dhe nuk dihen emrat, ndërkohë që kur bëhet emërimi, të gjithë mbetemi të surprizuar”.
Theodhori Sollaku:
“Është folur shumë për reformën në drejtësi, por të gjithë ne konstatojmë se të pakta janë idetë që e kanë shoqëruar këtë propagandë. Sa i përket mandatit të kryeprokurorit dua të them se ai mund të bëhet në Kushtetutë apo edhe në ligjin organik, por unë mendoj që nuk zgjidh kjo asgjë në rritjen e efiçencës së institucionit. Nga ana tjetër do të thosha pa frikë që ne kemi një kuadër ligjor shumë të mirë në drejtësinë penale. Pra ne vuajmë sot jo nga mungesa e ligjeve por nga implementimi i tyre”
Propozime të tryezës
Të ritet buxheti i shtetit për drejtësinë
Gjyqtarëve dhe prokurorëve tu jepet e drejta për të dhënë mësime në fakultete
Ministrisë ti lihet e drejta për të inspektuar vetëm anën administrative të gjykatave.
KLD-së ti kaloj kompetencat e plota të kontrollit të gjyqtarëve.
KLD të kthehet në një qeveri për gjithë sistemin e drejtësisë në vend.
Kryeprokurori të ketë vetëm kompetenca ekzekutive
Kompetencat administrative të prokurorisë ti kalojnë pushtetit ekzekutiv
Të forcohet roli i policisë gjyqësore
Agjencia hetimore nën varësi të Ministrisë së Brendshme do të sillte pasoja negative
Të vendoset sistemi i karrierës në drejtësi
Reforma të përfshijë të tre pushtetet, ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›