Grushte policit, arrestohet 36-vjeçari
GJIROKASTËR- Gjobitet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por kundërshton dhunshëm, duke goditur punonjësit e policisë rrugore. Më tej shoqërohet forcërisht në komisariatin e policisë dhe vihet në pranga. Fenomeni jo pak i njohur i fyerjes dhe goditjes së punonjësve të policisë nga ana e personave të ndryshëm, është përsëritur mesditën e djeshme në Gjirokastër. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut kanë bërë të ditur se 36-vjeçari, Karaman Meçaj, lindur dhe banues në qytetin e Fierit është arrestuar për veprat penale të “Kundërshtimit më dhunë” dhe “Goditjes për shkak të detyrës së punonjësit të policisë”. Mësohet se ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën nacionale Tepelenë-Gjirokastër pranë vendit të quajtur Mashkullorë. Sipas policisë, ky shtetas në rrugën nacionale Gjirokastër Tepelenë, në afërsi të serrave të fshatit Mashkullorë, duke udhëtuar me automjetin e tij tip Benz me targa FR 8491 C, është ndaluar nga patrulla e shërbimit e qarkullimit rrugor në komisariatin e policisë Gjirokastër, e cila kryente shërbim në këtë aks rrugor. “Duke qenë se po e drejtonte automjetin e tij me shpejtësi tej normave të lejuara në drejtim të Tepelenës i është bërë shenjë ndalimi nga patrulla e qarkullimit rrugor. Shtetasi Karaman Meçaj, pasi ka ndaluar dhe është gjobitur për këtë shkelje, ka kundërshtuar masën administrative të marrë nga punonjësit e qarkullimit dhe ka goditur me grusht për shkak të detyrës njërin nga punonjësit e patrullës së qarkullimit”,- tha zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Sipas tij, ndodhur në këto kushte ky shtetas është shoqëruar forcërisht në Komisariatin e Policisë Gjirokastër nga shërbimet e tjera ku më pas është bërë edhe arrestimi në flagrancë i tij.