E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen kapsolla, plagosen motër e vëlla

Fëmijët ndezën një zjarr dhe mes degëve ishte kapsolla. Mjekët: Djali rrezikon të humbasë syrin
SHKODËR- Dy fëmijë, vëlla e motër, mbetën të plagosur nga shpërthimi i një kapsolle detonatore dhe djali rrezikon të humbasë shikimin. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në fshatin Barbullush të komunës Bushat, në Shkodër. Mirsad Dashi, 11-vjeç, dhe motra e tij e vogël, Blerina, vetëm 4 vjeç kanë qenë duke luajtur në fushë me bashkëmoshatarët e tjerë, pa e ditur se mes sendeve që kishin mbledhur për të ndezur zjarr ishte dhe kapsolla që do t’iu rrezikonte seriozisht jetën. Të dy janë dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodrës me plagë në trup. Sipas mjekëve, problematike paraqitet gjendja e 11-vjeçarit, pasi motra e tij është dëmtuar lehtë.
***
Ishte ora 14.00 e mesditës së djeshme, kur fëmijët, si gjithmonë ishin grumbulluar për të luajtur me njëri-tjetrin. Vendi i lojës ishte në afërsi të banesës së familjes Dashi. Afër një objekti në ndërtim e sipër, në oborrin e banesës, fëmijët kanë ndezur zjarr për t’u ngrohur. Më parë kishin mbledhur sende të ndryshme për t’i vënë flakët, si degë peme të thara, kashtë etj. Nuk kanë qenë shumë të kujdesshëm për të parë, pasi mes gjetheve ka qenë edhe një kapsollë detonatore. Fëmijët nuk e kanë vënë re dhe e kanë marrë së bashku me degët dhe i kanë vënë flakën. Nuk ka kaluar shumë kohë nga çasti që grumbullit të sendeve i kanë vënë flakën, kur është dëgjuar një shpërthim i fortë. Mirsad Dashi, 11-vjeç ka qenë më afër flakës se të gjithë fëmijët e tjerë e për pasojë ka marrë plagët më të mëdha. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, bazuar në dëshmitë e marra nga fëmijët e tjerë, 11-vjeçari ka qenë duke i fryrë zjarrit që ai të ndizej më shumë.
***
Nga shpërthimi i fortë, djali ka dëmtuar rëndë majat e gishtërinjve të njërës dorë dhe syrin e djathtë. Ndërkohë sipas mjekëve, ciflat i kanë shkaktuar plagë dhe në kokë, qafë e dorën tjetër. Motra e tij 4-vjeçare ka marrë plagë më të lehta, të shkaktuara nga ciflat e kapsollës, të cilat i janë ngulur në bark, gjoks e këmbë. Të dy fëmijët janë dërguar me shpejtësi nga familjarët e tyre në spitalin rajonal të Shkodrës. Aty i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale për të bërë të mundur heqjen e ciflave të kapsollës nga trupat e tyre. Sipas mjekëve që janë kujdesur për dy fëmijët, më rëndë paraqitet gjendja e
11-vjeçarit, i cili ka dëmtime serioze në syrin e djathtë dhe rrezikon ta humbasë atë. Për këtë arsye, pas konsultës të bërë dhe ndihmës së parë që i kanë dhënë, mjekët e spitalit rajonal të Shkodrës kanë vendosur ta dërgojnë atë në spitalin e Tiranës për një trajtim më të specializuar.
***
Sipas mjekëve, djali është jashtë rrezikut për jetën, por rrezikon të humbasë syrin, ndaj duhej një ndihmë më e specializuar. Vajza katërvjeçare ka marrë mjekim dhe ndodhet në Shkodër, jashtë rrezikut për jetën. Policia ka kryer veprimet përkatëse në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj. Ngjarja ka qenë aksidentale dhe të dëmtuar kanë mbetur sërish fëmijë që me paditurinë e tyre kanë ndeshur në municione që gjenden të hedhura kudo. Vetëm 10 ditë më parë, një 13-vjeçar, Daniel Marashi, nga fshati Bardhaj humbi jetën teksa përpiqej t’i merrte për skrap pjesët metalike të një predhë luftarake. Fill pas ngjarjes së rëndë, familjarët dhe gjithë banorët e fshatit bën apel për qeverinë dhe ministrinë e linjës të marrë masa për të pastruar territorin nga municionet, që sipas tyre kërcënojnë përditë jetën e fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›