Ulet numri i licencave për furgonët, drejtuesit në protesta
Vlorë-Drejtuesit e mjeteve të furgonëve taksi 8+1 protestuan dje para bashkisë së qytetit e më pas para prefekturës në lidhje me vendimin e një dite më parë të këshillit bashkiak për reduktimin e numrit të taksive që do të licencohen. Vendimi i fundit ul numrin e taksive që do të licencohen, sipas drejtuesve të mjeteve të tilla më tepër se dy herë, gjë që ka sjellë dhe reagimin e tyre. Qysh në orët e mëngjesit mjete të tilla nuk kanë kryer itinerarin e përditshëm, në shenjë proteste. Vendimi i marrë nga këshilli bashkiak është cilësuar prej drejtuesve të mjeteve thjesht si penalizim. Fillimisht ata janë vendosur para ambienteve të bashkisë Vlorë e më pas në prefekturë, ndërsa një përfaqësi ka takuar autoritete të institucioneve për të paraqitur ankimimet e tyre. Një prej tyre pohon se ka mbi 13 vjet që punon me furgonin e vet duke qenë i licencuar për të operuar në treg si taksi 8+1. “Ky vendim vetëm na penalizon, pasi nga 70 furgonë që kanë qenë të licencuar një vit më parë, numri i tyre ka shkuar në 20 dhe ne nuk dimë nëse do të jemi në këtë 20-she, edhe pse jemi taksistë të vjetër”- thotë një shofer i vjetër. Sipas protestuesve vendimi thjesht favorizon furgonët e palicencuar, të cilët operojnë prej kohësh në treg dhe i konkurrojnë të licencuarit në mënyrë të pandershme. “Ne kërkojmë që ky vendim të rishikohet dhe për këtë do të vijojmë protestën”,- thonë ata. Drejtuesit e mjeteve kanë vendosur thjesht mjetet e tyre në stacionin në rrugën e re dhe vetë kanë protestuar duke pohuar se do të përshkallëzojnë protestën, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Vendimi për numrin e taksive 8+1 është marrë vetëm një ditë më parë në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak të Vlorës.